Ish-ndërmjetësuesi në dialogun Prishtinë-Beograd, Robert Cooper, tha se “rezultati i referendumit në Maqedoni mund të jetë një sinjal pozitiv për palët e Kosovës dhe Serbisë, në një kohë kur dialogu i Brukselit është në krizë” dhe se çështja e ndryshimit të kufijve duhet të zgjidhet nga të dyja palët.

Në një intervistë për ‘Radio Evropa e Lirë’ në gjuhën serbe, Cooper vlerësoi se “pavarësisht nga pjesëmarrja e ulët, rezultati i vlefshëm i referendumit në Maqedoni duhej të krijonte kushte për ndryshimin e emrit të shtetit në përputhje me marrëveshjen e mëparshme në mes të Athinës dhe Shkupit “.

“Shpresoj se vetë maqedonasit do ta zgjidhin këtë problem që vendi i tyre dhe Greqia kanë pasur për një kohë shumë të gjatë. Nëse e zgjidhin këtë problem të gjithë duhet të jemi të kënaqur dhe të gjithë në Ballkan duhet ta mirëpresim këtë si një sinjal shumë pozitiv për të gjithë rajonin. Do të isha edhe më i lumtur nëse Serbia dhe Kosova do ta zgjidhnin problemin së bashku. Zgjidhja më e mirë është se njerëzit në rajonin tuaj nuk bëjnë atë që thonë BE-ja apo NATO-ja ose kushdo qoftë, por për të gjetur zgjidhje për problemet e tyre së bashku”, tha Cooper.

Derisa u pyet rreth ndryshimit të qëndrimit të SHBA-ve, në veçanti John Bolton, se ndryshimi i kufijve nuk përjashtohet nëse Prishtina dhe Beogradi bien dakord, Cooper thotë se nëse të dyja palet pajtohen, do të thotë se ata punojnë bashkë për të zgjedhur problemin.

“Po, nëse të dy palët bien dakord, atëherë cili është problemi? Nëse ata pajtohen do të thotë se ata punojnë së bashku për të zgjidhur problemin. Nëse kjo marrëveshje përfshin njohjen e Kosovës, të cilën unë mendoj se është me rëndësi jetike, atëherë të dyja palët do të jenë në gjendje të kthehen në një punë serioze të drejtimit të shteteve të tyre”, deklaroi Cooper, transmeton lajmi.net

Ai shtoi se “ka shumë detaje që duhet të zgjidhen, për shembull, cilat territore janë në pyetje, si ta tërheqin vijën, se si do ta prisnin qytetarët, çfarë masash të tjera do të ndërmerrni për të siguruar sigurinë e pakicave etj”.

“Pra, mendoj se është një problem shumë i komplikuar, pasi një aranzhim i tillë nuk do të jetë i lehtë për t’u arritur dhe se do të duhet shumë kohë për këtë. Ndërsa sa i përket qëndrimit të zotit Bolton, mendoj se nëse vendet e rajonit mund të negociojnë mes vete për të zgjidhur problemet, mendoj se kjo është ajo që ne kemi dashur gjithmonë në Evropë, ” shtoi Cooper.

Në anën tjetër, Kancelarja gjermane Angela Merkel refuzon ndryshimin e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë, për shkak të frikës se kjo mund të ringjallë separatizmin etnik në vendet fqinje – Maqedoni dhe Bosnje Hercegovinë si dhe të shtyjë rajonin në konflikt, Kuper vlerëson se “duhet të shikohet se çfarë do të propozojë Prishtina dhe Beogradi”.