Covid 19 i merr jetën në moshën 74 vjeçare, gazetarit Anton Sereçi

Covid 19 i ka marrë jetën në moshën 74 vjecare, Anton Sereçit, ish gazetarit të RTM-së, njeriu që gjithë jetën e tij u përpoq të ndërgjegjësonte botën për komunitetin katolik në RMV të lënë në harresë. Ai ishte i shtruar për disa kohë në Klinikën Infektive në Shkup, por sërish nuk arriti ta fitojë betejën me pandeminë.

Marketing

Anton Sereçi lindi më 22 dhjetor të vitit 1947, në Shkup. Vjen nga një familje patriote, të cilët shpërngulen nga Shkodra, në Ferizaj, e më vonë në Shkup. Më 1969, kur ishte 21 vjeç, filloi punë në Bibliotekën e shkollës në Hasanbeg. Nga viti 1970 ishte gazetari i parë i sportit në gjuhën shqipe në RTM, institucion ku punoi për 36 vite, deri në vitin 2006. Ishte kryeredaktor, e më pas në vitin 1999 , drejtori i parë shqiptar i “Radios së Maqedonisë” . Më pas u emërua zëvëndës drejtor Komitetit për Mardhënie mes Bashkësive Fetare në dy mandate, deri në pensionimin e tij.

Në kujtesën e shqiptarëve do të mbeten gjithnjë përpjekjet e tij të pandalshme për ruajtjen e traditave të katololikëve shqiptarë, një vazhdimësi jorastësore e misionin e xhaxhait të tij, Gjon Sereçi, një ndër veprimtarët më të spikatur të çështjes shqiptare. Antoni ishte njeriu që çoi në vend amanetin e Nënë Terezës për ngritjen e varrit të babait të saj, Kol Bojaxhiut në Shkup. Antoni ishte njeriu që theu protokollin gjatë takimit me Papa Gjon Palin e Dytë , në vitin 1998, në Vatikan, kur teksa u përkul të puthte unazan papnore, jashtë protokollit, iu drejtua papës se vinte nga Shkupi, vendlindja e Nënës Terezë dhe papa ju përgjigj në shqip. Ishte zëri i fuqishëm që pandërprerë kërkonte një prift shqiptar në Shkup, në mënyrë që katolikët e mbetur, t’i luteshin zotit e të dëgjonin kumtin e tij në gjuhën e nënës.

 

Marketing