“COVID-19 nuk e kemi nën kontroll”, kreu i OBSH: Pandemia po përshpejtohet

Koronavirusi vijon të përhapet me ritme të shpejta në shumë shtete të botës, duke shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha ekonomike.Ndërkohë, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus gjatë një konference të mbajtur sot, tha se përhapja e pandemisë po vijon të “përshkallëzohet” dhe në shumicën e vendeve nuk është vendosur ende nën kontroll.

Marketing

Duke folur gjatë mbledhjes javore me shtetet anëtare, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus u shpreh se deri më tani më shumë se 11.8 milionë raste me koronavirus i janë raportuar agjencisë së shëndetit në OKB, gjysma prej tyre në 6 javët e fundit.

Ai shtoi se pandemia ka ekspozuar pabarazitë globale dhe kombëtare si në sistemet e shëndetësisë ashtu edhe në shoqëri.

 “Thuhet shpesh se sëmundjet nuk njohin kufij. Atyre nuk u interesojnë diferencat politike, dhe shpërfillin dallimet që bëjmë midis shëndetit dhe ekonomisë, jetës dhe jetesës. Pandemia e Covid-19 i ka prishur të gjitha këto. Ka shfrytëzuar pabarazitë në sistemet tona shëndetësore dhe skizmat në shoqëritë tona. Pandemia ka ekspozuar pabarazitë ekzistuese, duke zgjeruar dhe thelluar çarjet midis nesh…Në pjesën më të madhe të botës virusi nuk është nën kontroll. Po keqësohet. 11.8 + raste me Covid-19 janë raportuar në OBSH. Më shumë se 544,000 jetë janë humbur. Pandemia po përshpejtohet. Numri i përgjithshëm i rasteve është dyfishuar në gjashtë javët e fundit.”-tha kreu i OBSH.

Marketing