Covid-19, shkencëtarët: Vaksina nuk do kthejë jetën në normalitet në pranverë

Shkencëtarë të njohur kanë paralajmëruar sot se edhe një vaksinë e suksesshme e koronavirusit nuk do ta kthejë jetën në normalitet.

Marketing

Ndërkohë bota po pret që vaksina të jetë “kupa e shenjtë” që do t’i japë fund pandemisë.

Një raport i hartuar nga shoqëria mjekësore britanike Royal Society thotë se duhet të jemi “realistë” për atë që vaksina mund të arrijë dhe kohën kur mund ta arrijë.

Më shumë se 200 tipe vaksinash për mbrojtjen nga virusi po zhvillohen nga shkencëtarët në të gjithë botën, në një proces që po kryhet me shpejtësi të paprecedentë.

“Vaksina ofron shpresa të mëdha për fundin e mundshëm të pandemisë, por ne e dimë se historia e krijimit të vaksinave është e mbushur me dështime”, tha Dr Fiona Culley, e departamentit mjekësor të universitetit Imperial College London.

Ka mjaft optimizëm se procesi i vaksinimit masiv do të nisë në fillim të vitit që vjen, por raporti i Royal Society paralajmëron se procesi do të jetë i gjatë.

“Edhe kur vaksina të jetë e gatshme kjo nuk do të thotë se për një muaj të gjithë njerezit do të jenë të vaksinuar, kjo do të kërkojë gjashtë muaj, nëntë muaj … një vit,” tha Prof Nilay Shah, kreu i inxhinierisë kimike në Imperial College London.

“Nuk bëhet fjalë për një rikthim të papritur në normalitet në mars.”

Marketing