Covid/ Europa fuqizon masat, Gjermania gjobë personave që nuk mbajnë maska

Vendet kryesore evropiane si Franca, Gjermania dhe Spanja njoftuan të enjten për masa më të ashpra kundër pandemisë së koronavirusit.

Marketing

Franca zgjeroi urdhërin për të mbajtur maskën në të gjithë kryeqytetin, Paris, dhe ngriti numrin e rajoneve të vlerësuara si “zonë e kuqe” në 21. Numri i rasteve të reja me koronavirus në gjithë vendin ishte mbi 6.000 raste.

Gjermania tha se do të gjobisë me 50 euro personat që nuk mbajnë maskë në vendet ku është e detyrueshme. Po ashtu autoritetet thanë se tifozët nuk do të mund të marrin pjesë në eventet sportive, të paktën deri në dhjetor.

Në Spanjë, autoritetet njoftuan se fëmijëve mbi gjashtë vjeç do t’u kërkohet të mbulojnë hundën dhe gojën në shkolla.

Vendet në të gjithë botën po përpiqen të balancojnë nevojën që njerëzit të kthehet në punë, dhe të studiojnë, me masat për të mbajtur nën kontroll pandeminë.

Pandemia e koronavirusit iu ka marrë jetën më shumë se 826,000 njerëz në të gjithë botën që nga paraqitja e rasteve të para në Kinë, në fund të vitit të kaluar. Deri më tani janë regjistruar më shumë se 24 milionë të infektuar.

Marketing