Covidi “britanik” në Serbi ngrit alarmin tek ne, nesër mblidhet Shtabi i Krizës

Varianti “britanik” i virusit korona është detektuar edhe në Serbi. Mutacioni me transmision mbi 70% më të shpejtë, i cili fillimisht ishte paraqitur në Mbretërinë e Bashkuar që sot u gjet edhe tek pacientët e infektuar në fqinjin tonë verior. Nga Ministria e Shëndetësisë, thonë se që nesër do të shqyrtojnë mundësinë për masa eventuale të parandalimit të bartjes së të njëjtit edhe në Maqedoni.

Marketing

Çdo të hënë mbahet mbledhja e Shtabit qendror të krizës ku ministri i shëndetësisë Venko Filipçe e prezanton gjendjen epidemiologjike, kurse Komisioni për sëmundje infektive është në komunikim të përditshëm dhe vazhdimisht e përcjell këtë situatë. Do të kemi konsultime edhe për këtë çështje – njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

Siç raportojnë autoritetet shëndetësore në Serbi, ky variant i CoVid-19 është sjell nga një udhëtare nga Londra, e cila posedonte PCR test negativ, por kishte simptoma të lehta të ngjashme me gripin sezonal. Nga tamponi i marrë ndaj saj dhe bashkëshortit, i cili kishte simptome më të theksuara u detektua se bëhet fjalë për virusin britanik. Me ç’rast u vunë në karantinë edhe personat e kontaktit.

Unë dua t’ju informoj se një lloj i ri i korona virusit ka mbërritur në Serbi, ne kemi të dhëna zyrtare. Kam frikë, prandaj po nxitojmë me vaksinimin. Këtë mëngjes, Ministri Lonçar më informoi për këtë – tha Aleksandar Vuçiq, President i Serbisë.

Së fundmi, Ministri i Shëndetësisë pati deklaruar se nga rezultatet e bëra në laboratorin e Akademisë së Shkencave të Maqedonisë nuk është detektuar varanti i virusit britanik në vendin tonë. Filipçe tha kjo nuk përbën rrezik të shtuar shëndetësor, edhe pse është shumë lehtë i transmetueshëm.

Identik si ai që është detektuar në Britani të Madhe, jo! Tek ne janë detektuar 7 lloje me mutacione gjenetike në Laboratorin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, që nga fillimi i krizës – tha Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Përveç protokolleve të zakonshme shëndetësore aktualisht, vendi ynë nuk ka asnjë masë të shtuar ndaj Britanisë së Madhe. Fluturimi i fundit nga Aeroporti i Londrës drejt Shkupit ishte të shtunën. I radhës është të martën. Asnjë nga udhëtarët që kthehen nga Mbretëria e Bashkuar nuk izolohen as nuk u kërkohet PCR test negativ. Në paraqitjen e këtij virusi para festave të fund vitit atje, Qeveria në Shkup pezulloi fluturimet që vinin nga Londra dhe bëri që të futen në karantinë të gjithë udhëtarët e ishullit të cilët hynë në vend deri më 31 dhjetor. Ajo masë ishte për 3-4 fluturime dhe u shfuqizua.

Marketing