Cunami në Indonezi, alarm për dallgë të reja

Banorët e zonave bregdetare pranë vullkanit Anak Krakatau në Indonezi janë këshilluar t`i qëndrojnë larg brigjeve nga frika e një tsunami të ri në zonë.

Marketing

Dallgë gjigande u përplasën këtë fundjavë mbi qytetet në ishujt e Javës dhe Sumatrës duke vrarë të paktën 281 persona e duke plagosur 1,016 të tjerë. Mendohet se ishte pikërisht aktiviteti vullkanik shkaktari i fatkeqësisë, pas së cilës Anak Krakatau pati edhe një tjetër shpërthim, çka ngjall frikën e një përsëritjeje te skenarit apokaliptik.

Përpjekjet e shpëtimit po pengohen nga rrugët e bllokuara megjithatë në zonat më të goditura janë dërguar pajisje të rënda për të ndihmuar në kërkimin e të mbijetuarve.
Rekomandimet e agjensisë kombëtare të menaxhimit të fatkeqësive natyrore janë që njerëzit t’i qëndrojnë larg brigjeve për ca kohe, sepse vazhdimësia e aktivitetit vullkanik të Anak Krakatau shton gjasat për një tjetër tsunami.

Ky episod ka ringjallur për vendasit kujtime të hidhura: në muajin shtator, një tërmet shkaktoi një tsunami që përfshiu ishullin Sulavezi duke shkaktuar 2200 të vdekur e mijëra të plagosur. Edhe më të rënda kanë qenë pasojat e cunamit me 26 dhjetor 2004 ne Oqeanin Indian, ku për rrjedhojë humbën jetën rreth 230.000 vetë.