Daçiq: Kosova nuk e ka më mbështetjen e plotë të Amerikës

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se reagimi i SHBA-së për heqjen e taksës dhe refuzimi i vizës për kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, dëshmon se shteti i Kosovës nuk e ka mbështetjen e plotë të Amerikës.
Kreu i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, ka thënë se reagimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kërcënimi për Kosovën në lidhje me heqjen e taksës ndaj produkteve serbe si dhe refuzimi i vizës për kryeministrin Ramush Haradinaj, dëshmon se mbështetja e Amerikës për Kosovën nuk është e pakushtëzuar, transmeton lajmi.net.

Në një intervistë për “RTS”-në, Daçiq ka thënë se zyrtarisht nuk është konfirmuar që kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj i është refuzuar viza e Amerikës.

“Kjo nuk është hera e parë, ka ndodhur disa herë në karrierën e tij”, ka thënë Daçiq, i cili shtoi se, kjo edhe një herë dëshmon se Kosova nuk mund të marrë ndonjë vendim pa pasur mbështetjen e SHBA-së.

“Ne kemi informacione të sakta ku SHBA ka kërcënuar Kosovën për taksën. Sipas informatave që i kemi SHBA ka thënë që ose do ta hiqni taksën ose do të keni një lloj sanksionimi”, deklaroi Daçiq, transmeton më tutje lajmi.net.

Daçiq theksoi se, administrata amerikane mbështet përpjekjet për të gjetur një zgjidhje kompromisi, por që sipas tij, është Kosova ajo që po e pengon gjetjen e zgjidhjes së qëndrueshme për shkak të vendosjes së taksës.

Tutje, Daçiq ka thënë se Serbia është e gatshme të vazhdojë dialogun kur taksa të shfuqizohet. Ai komentoi edhe tre kushtet që Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, ka caktuar për ekipin negociues të Prishtinës.

Një prej tyre është se dialogu do të përfundojë në gjysmën e parë të këtij viti, për të cilin Daçiq thotë se jemi larg prej tij pasi që siç u shpreh ai, dialogu është pothuajse i bllokuar.

evn