Dalin emrat e bartësve të mundshëm të listave zgjedhore të partitë shqiptare?!

Televizioni 21 nga burime të tij mëson emrat me të cilat partitë po kalkulojnë për të qenë bartës të listave zgjedhore për më 12 prill.

Marketing

Në njësinë numër 1 LSDM-ja po mendon që listës t’i prijë Nikolla Dimitrov, ndërsa Gordana Siljanovska pritet të jetë bartëse në radhët e VMRO-DPMNE. Listës së BDI-së në këtë njësi pritet t’i prijë Izet Mexhiti, pohojnë burimet e TV21.

Në njësinë numër 2, bartës i listës së LSDM-së pritet të jetë Oliver Spasovski, ndërsa i dyti Muhamed Zekiri. I pari në listën e DPMNE-së pritet të jetë Vllado Misajllovski, ndërsa mjeku Ilir Hasani të jetë bartës i listës së BDI-së. Megjithatë ka mundësi që dyshit t’i prijë edhe Izet Mexhetit, në rast se vendoset që në njësinë numër 1 bartës liste të jetë Bujar Osmani. Kjo është e mundshme sepse siç tregojnë burime partiake, duke u bazuar në anketa, Osmani gëzon rejting të mirë.

Zëvendëskryeministri integrist Osmani përmendet edhe si emër i mundshëm për njësinë numër 3, në të cilën BDI për herë të parë do të synojë të marrë deputet. Ndërkaq në këtë njësi Lupço Nillollovki pritet të jetë bartës i listës së socialdemokratëve, ndërsa Aleksandar Nikollovski i VMRO-DPMNE-së.

Sa i përket njësisë së katërt zgjedhore, nga radhët e LSDM-së bartës pritet të jetë vetë kreu socialdemokrat Zoran Zaev, ndërsa burimet tona thonë se për këtë njësi VMRO-ja ende po bën përllogaritjet, edhe pse flitet që bartës të jetë sekretari i DPMNE-së Igor Janushev.

Në njësinë zgjedhore 5, siç mëson TV21, bartëse liste do të jetë zëvendëskryeministrja aktuale Milla Carovska, ndërsa VMRO-DPMNE-ja ende po mendohet se kë ta vendosë në krye të listës së partisë së aj në këtë njësi. Partia opozitare ende po kalkulon për këtë njësi për shkak se siç thonë burimet tona, VMRO-DPMNE-ja konsideron që këtu LSDM ka rejting të dobët për shkak të pakënaqësisë së qytetarëve me punën e Komunës së Manastirit (LSDM) si dhe atë të Strugës (BDI).

Listës zgjedhore të BDI-së në njësinë zgjedhore 5 pritet t’i prijë Talat Xhaferi. Burimet e Televizionit 21 thonë që kreu i integristëve Ahmeti me këtë propozim do të përpiqen të taktizojë që t’i ikë ndonjë përplasjeje të mundshme në degën e BDI-së në Gostivar.

Njësia numër 6 duket se do të jetë më e nxehtë për bllokun politik shqiptar. Burimet tona me bidnje pohojnë se sërish në këtë njësi bartës i listës së BDI-së këtu do te jetë vetë kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, ndërsa për rival do të ketë Ziadin Selën i cili pritet të kryesojë listën zgjedhore të partisë së tij në njësinë 6.

Dy rivalët politik maqedonas, LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja për njësinë 6 ende po bëjnë anketat e tyre dhe nuk ka emra që përfliten.

Jo zyrtarisht TV21 mëson se LSDM-ja si opsion të mirë e sheh Imer Selmanin për njësinë 6 ndonëse siç shpjegojnë burimet, vetë Selmani tani për tani nuk ka treguar ndonjë interes të madh për këtë gjë.

Sa i përket njësisë së 6-të, TV21 mëson se LSDM-ja ka edhe një matematikë tjetër. Ajo është që nëse Aleanca për Shqiptarët shkon në koalicion parazgjedhor me Alternativën, do t’i hapte rrugë LSDM-së që të bëjë koalicion me Besën, e në këtë rast kreu i saj Bilall Kasami do të ishte bartës i listës në njësinë 6.