Dalin emrat, kush votoi kundër ngritjes së komisionit hetimor ndaj Metës

Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, pas pretendimeve se ky i fundit ka nxitur dhunë zgjedhore me thirrjet e tij, të cilësuara si antikushtetuese në raport.

Miratimi kaloi me 98 vota, gjashtë kundër dhe një abstenim. Por, cilët ishin deputetët, të cilët votuan kundër shkarkimit të Metës.

Marketing

Ata janë: Adriatik Alimadhi, Kujtim Gjuzi, Fatjona Dhimitri, Artur Roshi, Elda Hoti dhe Lefter Maliqi.

Ky i fundit, ka garuar nën siglën e Lëvizjes Socialiste për Integrim në zgjedhjet e fundit. Kjo, pa arritur të zgjidhet deputet në qarkun e Beratit.

Gjuzi prej kohësh është kundër vendimeve të shumicës parlamentare.

Gjithsesi, përtej kësaj gjashtësheje kundërshtuese, pjesa tjetër e opozitës parlamentare, e ka mbështetur propozimin e shumicës për shkarkimin e Metës.

Nëse këto numra qëndrojnë të tillë, numri 94 i votave të nevojshme për shkarkim, është i arritshëm.

Fjala e fundit më pas, i përket Gjykatës Kushtetuese. Ajo vendos nëse presidenti ka bërë shkelje të rënda për heqjen e detyrës, apo mund të vazhdojë ta ushtrojë funksionin e tij deri në përfundim të mandatit.

Meta vetë pati deklaruar më parë, se nëse Partia Socialiste do të merrte 71 mandate, ai do të tërhiqej nga posti. Një gjë e tillë nuk ndodhi, edhe pse socialistët morën shumicën me 74 mandate.

Marketing