Dalin nga kontrolli zjarret në Ishujt Kanarine të Spanjës, evakuohen 8 mijë persona

Rreth tetë mijë njerëz janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre në ishullin Gran Canaria të Spanjës, ku zjarrfikësit po luftojnë me zjarret që tashmë i kanë djegur më shumë se 3400 hektarë pyje.

Marketing

Më shumë se 700 zjarrfikës, të ndihmuar nga 11 helikopterë dhe 5 aeroplanë, po përpiqen t’i vënë nën kontroll flakët, të cilat filluan të shtunën afër qytetit Tejeda dhe janë duke u zgjeruar në disa drejtime. Gjendja po përkeqësohet për shkak të temperaturave të larta, erërave të forta dhe lagështisë së ulët të ajrit.

Kryetari i qeverisë lokale të Ishujve Kanarine, Angel Victor Torres, tha se flakët janë të tmerrshme dhe paraqesin katastrofë natyrore, duke shtuar se zjarri nuk është zvogëluar dhe ende nuk është vënë nën kontroll.

Udhëheqësi i shërbimeve emergjente, Federico Grillo, tha se vatra kryesore e zjarrit është e pamundur të shuhet dhe se zjarrfikësit janë të përqendruar në shuarjen e flakëve në krahun e djathtë, ku ka shumë shtëpi.

Raportohet se rreth 40 persona janë bllokuar në një qendër kulturore në Artenara, e cila është rrethuar nga zjarret. Autoritetet i kanë evakuuar banorët nga nëntë komuna të dielën, shkkruan “The Guardian”.

Marketing