Dardan Dehari: Nuk do të ndalem, synoj Lojërat Olimpike në Pekin

Është 30-vjeçar dhe nga Tetova, por emrin e Dardan Deharit, së fundmi me plot krenari dhe emocione e dëgjuam gjatë fundjavës, kur ai ishte ranguar në mesin e 100 skiatorëve më të mirë në botë pas një gare kualifikuese.

Marketing

Finalja u mbajt të dielën dhe ai arriti të sigurojë vendin 31-të, me çka Maqedonisë së Veriut ia solli edhe prezantimin më të mirë që e ka pasur ndonjëherë si vend.

Për TV21, ka treguar rrugëtimin e tij nga Tetova deri në Kortina të Italisë ku u zhvillua Kampionati Botëror i Skijimit Alpin.

“Kam garuar në disiplinën e sllallomit. Fillimisht kemi pasur kualifikime, sepse në finale garojnë 100 sikatorë më të mirë në botë, nga ku 50 më të mirët ranglistën botërore kualifikohen direkt dhe 50 të tjerë nga gara kualifikuese. Kështu që në garën kualifikuese, nga 108 skiatorë unë u radhita i 28. Kjo nënkupton kualifikim për në garen finale dhe aty dola i 31 me radhë”, tha Dehari.

Thotë se ndjehet tejmase i lumtur, jo për rezultatin, por se ia ka mundësuar shtetit ku jeton plasmanin më të mirë që e ka pasur ndonjëherë.

“Kjo për Maqedoninë paraqet plasmanin më të mitë ndonjëherë në kampionatin botëror”, shprehet më tej Dehari.

Dehari nuk do të ndalet këtu, ai synon lojërat olimpike.

“Kampionati është gara më prestigjioze në skijim, dhe nga ky rezultat jam personalisht i kënaqur dhe shpresoj që në vitin e ardhshëm ta përfaqësoj Maqedoninë edhe në lojërat olimpike dimërore që do të mbahen në Pekin 2022 në Kinë”, tregon planet e tija për të ardhmen, Dardan Dehari.

Me skijim ka filluar të merret në mënyrë profesionale që nga mosha 13-vjeçare, dhe ky në Itali nuk ka qenë i pari ku ai ishte pjesëmarrës. Ka marrë pjesë edhe në 7 kampionate botërore dhe mbi 350 gara ndërkombëtare në Federatën Ndërkombëtare të Skijimi.

Marketing