Dardhishta: Një dorë që tund djepin, që bënë bukën dhe që shkrep automatikun ajo dorë sundon botën

TOP-NEWS: Cilat janë obligimet e Drejtorisë për Shërbimet e Përbashkëta në Q.K.U?

Marketing

Shkodrane Dardhishta : Vetë emri “Drejtoria për Shërbime të Përbashkëta të Klinikave” tregon se funksionojmë dhe jemi në shërbim të klinikave. Ky institucion publik nga lëmia e shëndetësisë u themelua me decentralizimin e Qendrës Klinike Universitare, ku nga 1 qendër e vetme klinike u themeluan 30 subjekte të mëvetësishme juridike- gjegjësisht klinikat universitare në kuadër të kampusit “Nëna Terezë” dhe institucioni jonë i cili klinikave i’u ofron furnizime publike dhe shërbime, respektivisht klinikat përmes nesh furnizohen me materialet e nevojshme të cilat si pikë finale e kanë pacientin.

Klinikat e kanë atë të drejtë edhe vetë te furnizohen, mirëpo pasi që ne jemi më mirë të organizuar apo thënë më mirë të ekipuar, nënkupton se kemi kapacitet për t’i shërbyer ato, dhe nëpër thirrje publike arrijmë të fitojmë çmime më të ulëta, të përkujdesemi për ruajtjen dhe shpërndarjen e medikamenteve të ndryshme, çdoherë në favor të klinikave, atëherë po të njejat zgjedhin më mirë të furnizohen përmes neve sesa në mënyre vetanake.

Në kuadër të shërbimeve mund të cekim menaxhimin e barnatores klinike, menaxhimin e sektorit teknik (ku bëjnë pjesë mbeturinat komunale dhe medicinale, sigurimi i Q.K, telefonia, interneti, gazi medicinal, ngrohtorja, instalimet nëntokësore, uji, rryma, mjeshtrit e të gjitha profileve, sterilizimi qendrorë, lavazhi qendrorë, kuzhina qendrore, etj.), ndërsa në kuadër të furnizimeve publike theksojmë furnizimin me barna, materiale harxhuese medicinale, materiale harxhuese për zyra, veshmbathje për mjek, motra medicinale dhe personel tjëter të Q.K, materiale teknike për ujë, rrymë dhe instalime, etj. Vlen të ceket edhe një herë se ne i ofrojmë të gjitha ato shërbime dhe furnizime që i kërkojnë klinikat, domethënë ne punojmë në bazë të kërkesave të tyre dhe jemi si urë lidhëse në mes të furnitorëve dhe klinikave.

TOP-NEWS: A i bën të gjitha shpalljet publike drejtoria që ju drejtoni apo vetëm ato logjistike?

Shkodrane Dardhishta: Po. Drejtoria që ne udhëheqim funksionon në bazë të ligjit për furnizime publike të R.M.V, me ç’rast gjithçka është në mënyrë tenderimi, ku ofertën më të mirë e vlerëson komisioni në bazë të çmimit më të ulët si dhe kualitetit të cilin e notojnë vet klinikat, pasi që furnizimi bëhet për ta. Ne pacientë nuk kemi, prandaj gjithçka që blihet për ta e vendosin vetë ata, për arsye të posedimit të personelit mjekësorë dhe njohjes më të mirë të kualitetit të atij materiali.

TOP-NEWS: A keni mjete të nevojshme buxhetore për të plotësuar nevojat e klinikave apo keni edhe mjete vetanake të drejtorisë?

Shkodrane Dardhishta: Me lindjen e drejtorisë sonë më 05.09.2007 qeveria si themeluese e këtij institucioni publik, ka caktuar që mënyra e financimit të bëhet nga mjetet vetanake që domethënë- vetëfinancim dhe kjo nënkupton se ne klinikave iu ofrojmë shërbime dhe furnizime dhe ata na paguajnë neve, gjegjësisht i paguajnë materialet të cilat i blejnë ndërsa një përqindje shkon për pagat e punëtorëve tanë, domethënë mbijetojmë me vetëfinancim.

TOP-NEWS: A po ndërmerrni diçka më konkrete për të zgjidhur problemin e parkingut dhe lëvizjen e brendshme nëpër klinika me vetura?

Shkodrane Dardhishta: Duhet theksuar se qysh në vitin 2004 hapësira e brendshme e parkingjeve dhe trotuareve të Q.K është dhënë me koncesion, që domethënë se ne NUK menaxhojmë me parkingun e Q.K.U. Duke e patur parasysh se të hyrat nga ky parking do ta kishin përmirësuar gjendjen e buxhetit financiarë të drejtorisë sonë, ne disa herë radhazi kemi kërkuar që po i njëjti të kthehet nën kompetencat tona, pasi që do të ishte një ndihmesë e madhe për ne sepse u cek edhe më lartë mënyra e mbijetimit të këtij institucioni, mirëpo kërkesa jonë hasi në vesh të shurdhër dhe përsëri në vitin 2013 qeveria vendosi që parkingun t’ua japë në shërbim qytetit të Shkupit, respektivisht Drejtorisë së Parkingjeve të Qytetit të Shkupit, dhe qysh prej atëherë e deri më sot ata janë shfrytëzues të këtij shërbimi. Edhe ne si të gjithë punëtorët e Q.K.U paguajmë kartela mujore për të shfrytëzuar parkingun.

Mbetemi me qëndrimin dhe shpresën se ky parking do të kthehet në kompetencat tona ashtu siç na takon, përndryshe, sigurimi i Q.K në çdo kohë ndihmon për qarkullimin e veturave brenda institucionit, respektivisht veturën e ndihmës së shpejtë, furgonave që transportojnë medikamente medicinale dhe materiale të tjera si dhe çdo gjë tjetër që është e shpejtë dhe urgjente.

TOP-NEWS: Po kalojmë pak në një format tjetër të intervistës: si ju shohin kolegët maqedonas? Ju injorojnë për bashkëpunim duke e patur parasysh të kaluarën tuaj kombëtare?

Shkodrane Dardhishta: Jam rritur me mendimin se duhet të luftohet pushteti i cili ushtron padrejtësi dhe dhunë mbi një popull dhe asnjëherë popullata e pafajshme. Kjo domethënë se unë kam raporte korrekte me popullatën maqedonase të këtij vendi. Edhe qytetari maqedonas dëshiron të jetojë jetën në paqe ashtu siç dëshiron edhe një bashkëkombës i imi. Ne jemi dy nacionalitete të barabarta dhe qytetarë të barabartë të këtij shteti dhe unë duke e dashur kombin tim di t’i respektoj edhe kombet e tjera, andaj si drejtoreshë ose si bashkëpunëtore çdoherë mundohem të jem sa më korrekte dhe e respektoj bashkëpunimin, po të njejtën korrektësi e ka patur edhe pala tjetër, çdoherë duke e respektuar ‘vijën e kuqe’, edhe pse më ka ndodhur rast ku është dashur t’i bie nganjëherë tavolinës me grusht, hahaha.

Unë krenohem me të kaluarën kombëtare timen dhe të familjes sime, ajo është pjesa më e ndritur e jetës sime.

TOP-NEWS: Më e lehtë të menaxhosh një betejë apo një institucion siç është drejtoria që ju e menaxhoni?

Shkodrane Dardhishta: Hahahah… them se një betejë! Sepse artin luftarak e njoh më mirë se paqen. Në lufte 1+1 bëjnë 2 ndërsa pas lufte shpesh matematikat na përzihen. Institucioni i cili drejtoj është gjigant dhe i komplikuar, i një rëndësie të veçantë për Q.K dhe ka shumë obligime dhe probleme të cilat kërkojnë përkushtim, shkathtësi dhe guxim. Po të njëjtat virtyte kërkohen edhe në betejë mirëpo aty strategjia është më e thjeshtë sepse ke përpara vetëm një cak- armikun.

TOP-NEWS: Si keni arritur që paralelisht të menaxhoni drejtorinë dhe të fitoni titullin Magjistër dhe Doktor Shkence?

Shkodrane Dardhishta: Qysh në bankat e shkollës fillore jam shquar si nxënëse e shkëlqyer. Kam patur shumë ambicie dhe vizione për jetën. Në bagazhin tim mbaj diploma e medalje si fituese e shumë garave shkollore dhe me po të njëjtin elan kam vazhduar edhe ne shkollën e mesme të e ndërrova diku 7-8 herë (isha nxënëse e gjimnazit të Deçanit, Kumanovës, Prishtinës, Shkupit dhe mezi e përfundova në Gjilan në vitin 2001, hahahah…) për shkak të shkëputjeve të shumta që i kisha shkaku i pjesëmarrjes sime në luftë. Edhe universitetin e fillova me telashe; isha studente e Universitetit të Tetovës- dega ekonomi, mu atëherë kur duhej ky universitet të legalizohej dhe zyrtarizohej dhe unë nuk kishte si mos të isha udhëheqëse e protestave për legalizim, të njohura si “Marsi i Studenteve”. Ndërkohë që po studioja, u punësova në Ministrinë e Kulturës, pastaj edhe diplomova në këtë universitet por tashmë të njohur si Universiteti Shtetërorë i Tetovës me ç’rast u shpërblye mundi, djersa dhe gjaku i dëshmorëve të kombit, atyre që ishin gurë themeli i këtij universiteti dhe them me krenari se unë së bashku me të tjerë studentë, arrita të realizoj edhe një amanet të bashkëluftëtarëve të mi të cilët sot nuk janë më në mesin tonë.

Magjistraturën e fillova dhe e mbarova me Jonin dhe Janinën në prehër, pasi që janë bineq, njërin e tundja në djep e tjetrin me jastëk në këmbë derisa unë mësoja… nëndërkohë që edhe menaxhoja me drejtorinë. Magjistrova po në U.SH.T për Kontabilitet dhe Financa, ndërsa si qershi mbi tortë në vitin 2015 erdhi Vranina, ku bashkë me të mbarova studimet doktorate të cilat përfunduan në tetor të vitit 2016 në Qendrën Europiane për Paqe dhe Zhvillim të Universitetit për Vendosje të Paqes nga Kombet e Bashkuara me seli në Beograd, me temë “Proteksionizmi i ri në sektorin shëndetësor dhe efektet në Republikën e Maqedonisë” me mentor prof.dr. Ljubisa Adamovic. Shpeshherë me shaka e them se “u rrita, magjistrova e doktorova së bashku me fëmijët e mi që domethënë se në moshën 32 vjeçare mora titullin Doktor i Shkencave të Ekonomisë për Financa dhe Kontabilitet, nënë e Jonit, Janinës dhe Vraninës, duke lënë pas Betejën e Koshares, Sllupçanit e Haraçinës, librin me poezi të titulluar “Me tri shkronja lidha shtigje”, brezin e zi në karate dhe shumë medalje e trofe të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare.

Krejt në fund mund të them se një dorë që tund djepin, që bënë bukën dhe që ndonjëherë shkrep edhe automatikun- ajo dorë sundon botën kur ka për bazë dashurinë për fëmiun, familjen dhe kombin, të cilët janë motivi më i madh për arritjen e sukseseve në jetë.

TOP-NEWS: Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

Shkodrane Dardhishta: Herët kam ‘filluar të jetoj’ që nënkupton se edhe herët mbarova shumë obligime të mëdha të cilat shumica e moshatarëve të mi as nuk i kishin filluar. Për momentin jam e okupuar me udhëheqjen e drejtorisë, punoj pjesërisht në universitetin ku doktorova, udhëheq klub karateje si dhe jam eksperte gjyqësore për çështje ekonomike në Byronë për Ekspertiza Gjyqësore.

Borxhin ndaj atdheut mendoj se ende nuk e kam kryer prandaj do të vazhdoj të veproj ende në aspektin kombëtarë, ndërsa si nënë prioritare e kam jetën e Jonit, Janinës dhe Vraninës, të arriturat dhe sukseset e tyre të cilat janë në rritje e sipër, prandaj edhe të gjitha planet dhe vizionet e mia tani zhvillohen në atë drejtim.