Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të reflektojë impuls pozitiv edhe në zhvillimin ekonomik të shtetit, e sidomos për investimet e huaja.

Ministri i ngarkuar për investime të jashtme Bardhyl Dauti për TVM2 theksoi se stabiliteti politik ndikon dukshëm në mirëqenien e popullatës, dhe është indikator kyç për thithjen e investimeve të huaja.

“Besoj që do të ketë ndikim jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe pozitiv si në rritjen e performacës ekonomike të Maqedonisë, rritjen e standardit jetësor të qytetarëve por edhe në rritjen e flukseve tregtare e investive në mes Maqedonisë dhe vendeve tjera që performojnë stabilitet politik si për shembull vendet e BE-së. Keni parasysh stabiliteti politik është indikator kyç për thithjen e investimeve të huaja direkte dhe kryesisht si rezultat i mos qasjes institucionale në të kaluarën nga ana e qeverisë së kaluar për zgjidhjen e emrit, ne kemi ngecje“, shprehet ministri pa resor i investimeve të huaja Bardhyl Dauti.

Edhe analisti Ismet Ramadani thekson se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO krahas ndikimit në stabilitet dhe siguri impakt të madh do të ketë edhe në zhvillimin ekonomik.

Maqedonia me vetë praninë në këtë bllok do të ketë beneficione të ndryshme të cilat drejtpërsëdrejti do të ndikojnë në standardin jetësor.

“Vetë fakti se do të jemi anëtare e NATO-s, kompanitë, korporatat e mëdha pra zakonisht në specifikacionet e tyre e kanë edhe sigurinë e kapitalit të tyre dhe në qoftë se ato orientohen për të investuar një pjesë të kapitalit të Maqedoni atëherë garancinë e parë që e kërkojnë është NATO-ja pra si organizatë politiko ushtarake”, shprehet analisti Ismet Ramadani.

Sipas autoriteteve të vendit Maqedonia si anëtare e 30 e aleancës do të kontribuojë në konsolidimin e demokracinë në rajon dhe do të shërbej si shembull i mirë në Ballkanin Perëndimor.

Anëtarësimi në NATO do të jetë një stimul plus për investitorët e huaj i cili u jep atyre siguri dhe stabilitet.