Davitkovski: Ndërkombëtarët mund vetëm të ndihmojnë me informacione nëse posedojnë por jo edhe ta hetojnë rastin e “Lagjes së Trimave”

Gjykata e Apelit në Shkup ka nisur shqyrtimin e ankesave të 33 pjesëtarëve të njohur si Grupi i Kumanovës, të cilët gjykata e shkallës së parë i kishte dënuar me 746 vjet burgim për veprën penale, terrorizëm.

Prokuroria ka mbrojtur gjykimin e shkallës së parë, ndërsa të dënuarit vetëm për pak çaste kanë qëndruar në seancë, pasi u larguan nga policia për shkak të reagimeve të zëshme dhe brohoritjeve të ndryshme në shenjë revolte, për, siç kanë thënë, dënimin e shqiptuar dhe mosmarrjen në konsideratë të reagimeve të tyre gjatë katër vjetëve të kaluar.

Valdet Zekaj, në emër të të dënuarve, edhe një herë ka kërkuar hetim ndërkombëtar të rastit, si dhe dëshmitë e shumë ish-zyrtarëve të Qeverisë së kaluar, e që janë pjesë edhe e Qeverisë së tanishme duke i akuzuar për tradhti për rastin në fjalë.

Edhe pala mbrojtëse ka kërkuar hetim ndërkombëtar, ndërsa ka përsëritur qëndrimet se rasti ka qenë i orkestruar nga Qeveria e kaluar për të shpërqendruar vëmendjen nga skandalet, me të cilat përballej ajo, në veçanti me aferën e përgjimeve dhe raste tjera.

“Sot, djemtë ishin decid, të saktë. Nuk kanë besim në këtë gjykatë, andaj edhe kërkojnë hetim dhe gjykim ndërkombëtar, që të kuptohet se çfarë konkretisht ka ndodhur më 9 dhe 10 maj në Lagjen e Trimave në Kumanovë, dhe të vërtetën ta dinë, si ata, ashtu edhe opinioni”, ka deklaruar Mefail Arsllani, një nga avokatët e të dënuarve.

Sa i përket kërkesës për hetim ndërkombëtar, nga Qeveria kanë thënë se mbeten në qëndrimin mbi nevojën e zbardhjes së këtij rasti dhe se pasi të ketë një epilog gjyqësor, do të mund të inkuadrohen ekspertët ndërkombëtar. Por, njohësit e çështjeve juridike, thonë se ndërkombëtarët mund vetëm të ndihmojnë me informacione, nëse posedojnë, por jo edhe ta hetojnë rastin.

“Nëse ka indikacione se e gjitha ajo që ka ndodhur, është planifikuar apo nxitur nga jashtë, apo nga shtete tjera, atëherë mund të kërkohet ndihmë nga shërbimet më të zhvilluara nga jashtë. Ata në këtë rast do të na ndihmonin që të arrijmë tek e vërteta. Kjo do të ishte edhe në interesin tonë si shtet. Pra, konsultime mund të ketë, por jo edhe pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të jashtme në hetimin e asaj që ka ndodhur në Kumanovë”, ka vlerësuar Borçe Davitkovaki, njohës i çështjeve juridike.

Pjesëtarët e Grupit të Kumanovës, më 2 nëntor të vitit 2017, ishin shpallur fajtorë për veprën terrorizëm lidhur me luftimet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në Lagjen e Trimave në Kumanovë ku kishin mbetur të vdekur 8 policë dhe 10 anëtarë të grupit të armatosur, që ishin prezantuar si ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, e që kishin nisur konfliktin për, siç kanë thënë, “tërheqjen vërejtjes autoriteteve maqedonase për gjendjen e rëndë të shqiptarëve dhe mosrealizimin e të drejtave të tyre kombëtare”.