Ish trajneri i Kombëtares Shqiptare, Gianni De Biasi iu bashkua emisionin “FanZone” në Supersport, nëpërmjet një lidhjeje direkte, ku komentoi deklaratat e Panuccit për mediat italiane dhe foli për të ardhmen e tij.
Si e patë gjestin e Ramës për të dërguar 30 mjekë në Itali?
Ishte një gjest shumë i bukur dhe pata mundësi t’ia shpreh këtë edhe Ramës me mesazhe. Ishte një moment i vështirë për Italinë dhe ndërkohë që priste ndihmë nga shtetet e fuqishme, i erdhi nga një vend i vogël si Shqipëria. Kjo konfirmon edhe njëherë lidhjen e fortë që ekziston mes dy vendeve.

Panucci deklaroi se te Shqipëria luajnë lojtarë që i ka sjellë ai dhe jo Edi Reja. Ju duket e drejtë kjo deklaratë?
Më duket një debat idiot dhe nuk dua të përfshihem aspak, por Panucci ka thënë ndër të tjera që e ka marrë Shqipërinë në vendin e katërt dhe e ka çuar në të tretin, gjatë fushatës eliminatore të Botërorit 2018. Në fakt ka kujtesë të shkurtër, pasi ne ishim të tretët kur u largova unë dhe e mbyllëm edicionin po të tretët. Mesa duket atij i djeg shkarkimi që në ndeshjen e parë eliminatore të Euro 2020-ës, ose harron shpejt.

Ku mendoni se gaboi Panucci gjatë punës së tij te Shqipëria?
Unë kisha vite te Shqipëria dhe u mundova t’i jap sa më shumë informacione, pa i prekur autonominë, por pas një apo dy muajsh kuptova që donte të vijonte në rrugën e tij dhe e lashë. Nuk di të them ku gaboi, por gaboi dhe më vjen keq sepse edhe Shqipëria humbi mundësinë të bënte më mirë në eliminatore apo në Nations League.

Cilën skuadër do t’i sugjeronit Marash Kumbullës?
Nuk mund të bëj sugjerime, por mund të them se ai po bën një sezon fantastik. E kam njohur 5 vite më parë, kur luante me moshat e Veronës, por atëherë ishte shumë i ri. Ka ecur shumë dhe e kam ndjekur me vëmendje këtë sezon, ndaj mund të them fjalët më të mira. Më vjen mirë që Shqipëria ka një futbollist si ai, që ndihmon ekipin të rritet dhe të shohë më lart.

Keni pasur negociata për t’u rikthyer si trajner gjatë kësaj kohe?
Po, isha në bisedime me një kombëtare dhe isha për të hedhur firmën, por ndodhi historia e koronavirusit dhe shtymë gjithçka për në qershor. Shpresoj që të mos ndryshojnë mendje deri atëherë.

Do të donit të riktheheshit te Shqipëria?
Kombëtarja Shqiptare është në duar të sigurta, të nëj profesionisti të madh si Edi Reja dhe nuk ka nevojë për mua. Nëse në ndonjë moment do të kërkonin trajner, do të vija me shumë qejf.

Claudio Lotito ka thënë se nuk ka arsye që të mos vijojnë stërvitjet e skuadrave. Jeni dakord me të?
Lotito flet si president i Lazios dhe është në interesin e tij që të rifillojë sa më shpejt kampionati, pasi ata po bënin një sezon shumë të mirë dhe tani nuk dihet si do reagojnë pas ndërprerjes. Megjithatë fillimisht duhet të mendojmë për shëndetin e futbollistëve, ashtu si të të gjithë njerëzve të tjerë. Besoj se shumë shpejt do të rikthehet edhe futbolli.