De Ligti po i kryen testet mjekësore në Juventus

Qendërmbrojtësi holandez, Matthijs de Ligt, ka arritur në qendrën mjekësore të Juventusit, J-Medical, për ti kryer të gjitha testet mjekësore para se ta kompletojë transferimin e tij të shumëpritur për 75 milionë euro nga Ajaxi.

Marketing

Matthijs de Ligti arriti në Torino të martën në mbrëmje dhe faqja zyrtare e Juventusit në rrjetin social Twitter e publikoi menjëherë një video të tij duke i përshëndetur tifozët e bardhezinjve, transmeton Gazeta Express.
Sot, faqja e klubit në Twitter i publikoi edhe disa fotografi të holandezit për të bërë të ditur se ai po i kryen testet mjekësore.

Sapo të kompletohen edhe detajet e fundit, De Ligti do të nënshkruajë kontratë pesëvjeçare me “Zonjën e Vjetër”, ku do të paguhet 7.5 milionë euro në vit dhe 4.5 milionë euro të tjera do t’i fitojë brenda sezonit në formë të bonuseve.
19-vjeçari ka qenë futbollisti më i kërkuar nga Juventusi gjatë këtij afati kalimtar të verës, pasi që trajneri i ri Maurizio Sarri dëshironte ta përforconte repartin e mbrojtjes, pas largimit të Andrea Barzaglit dhe Martin Caceresit.

Paris Saint-Germaini, Barcelona, Manchester Unitedi dhe Bayern Munichu kishin qenë gjithashtu të interesuar për kapitenin e Ajaxit, që kishte qenë në qendër të vëmendjes sezonin e kaluar në Ligën e Kampionëve, kur e ndihmoi Ajaxin të arrinte deri në gjysmëfinale.

Marketing