Deaktivizohen mbi 28 kilogramë eksploziv në Kosovë

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka bërë të ditur përmes një komunikate për media se, pas ekzaminimit të bërë nga njësitet e specializuara të Policisë, është konstatuar se mjeti i dyshuar shpërthyes, i gjetur të enjten në fshatin Mazgit është eksploziv në sasi prej mbi 28 kilogramëve, i llojit TNT dhe ANFA.

Marketing

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin se më 13 dhjetor 2018, Drejtoria Kundër Terrorizmit, e cila vepron në kuadër të Policisë së Kosovës, ka njoftuar se në fshatin Mazgit, afër magjistrales Prishtinë –Mitrovicë, është gjetur një sasi eksplozivi e llojit TNT dhe ANFA, i mbështjell me një kantë-bidon, i cili ka qenë i gatshëm për aktivizim. Pas ekzaminimit është bërë deaktivizimi nga njësitet e specializuara të Policisë së Kosovës, si dhe, është konstatuar se sasia e eksplozivit ka qenë 28 kg e 11,5 gram, e llojit TNT dhe ANFA”, është thënë në njoftimin e Prokurorisë së Kosovës.

Policia e Kosovës ka njoftuar të enjten mbrëma për një mjet të dyshuar shpërthyes në fshatin Mazgit, afër magjistrales Prishtinë – Mitrovicë.

Sipas komunikatës, Prokuroria ka autorizuar Policinë, që të bëjë kërkime për të identifikuar personat e përfshirë në këtë rast.

Marketing