Debati për Kosovën në Këshillin e Sigurimit

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Tahir Zanin, në raportin e tij vuri theksin tek operacioni i forcave të policisë së Kosovës më 28 maj për arrestimin e të dyshuarve për përfshirje në kontrabandë dhe krim të organizuar.

Gjatë atij operacioni qenë ndaluar dy punonjës të UNMIK-ut, njëri shtetas rus dhe tjetri punonjës lokal. Zoti Tanin tha se “autoritetet e Kosovës dështuan të respektojnë imunitetin e punonjësve të Kombeve të Bashkuara dhe prona e kësaj organizate është konfiskuar dhe kontrolluar në mënyrë jo të duhur”.

Ai tha se UNMIK-u mori shumë pak prova lidhur me arrestimet dhe autoritetet e shpallën një punonjës të tij të padëshirueshëm. Ai tha se “është përdorur forcë e tepruar ndaj punonjësve të UNMIK-ut të cilët është dashur të kërkojnë ndihmë mjekësore”.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, akuzoi autoritetet e Prishtinës për operacionin e arrestimeve në veri duke theksuar se qëllimi ishte frikësimi i popullatës serbe. Ai vuri theksin tek ndalimi i dy pjesëtarëve të UNMIK-ut gjatë atij operacioni dhe kundërshtoi sërish thirrjet e një pjese të anëtarëve të Këshillit të Sigurimit për rishqyrtimin e pranisë së UNMIK-ut.

Ai tërhoqi vëmendjen në 20 vjetorin e miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit për Kosovën duke akuzuar NATO-n për ndërhyrjen me të cilën i dha fund luftës në Kosovë dhe administrimit serb të saj.

Ministri serb tha se Serbia kërkon kompromis për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, ndërsa akuzoi Prishtinën se nuk është e gatshme të zbatojë marrëveshjet e arritura në Bruksel më 2013.

Ai akuzoi Prishtinën edhe për bllokimin e bisedimeve me vendosjen e tarifave dhe miratimin e platformës për bisedime në të cilën përcakton se njohja e pavarësisë se saj është qëllimi kryesor i procesit.

Shefi i diplomacisë serbe paralajmëroi Këshilin e Sigurimit se sic tha, “Pristina po përgatitet të sulmojë veriun e Kosovës”.

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku, kujtoi faktin e në ditën e sotme të vitit 1999 Këshilli i Sigurimit votoi Rezolutën 1244 dhe vendosi administrimin e OKB-së në Kosovë. Duke vlerësuar lartë angazhimin ndërkombëtar në Kosovë, ajo përmendi mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999.

“Pavarësia e Kosovës nuk është produkt i në lëvizjeje secesioniste. Pavarësia e saj është produkt i dekolonizimit”, tha ambasadorja Çitaku, duke theksuar ndërkaq se situata në Kosovë në vitin 2019 është krejt ndryshe nga viti 1999 dhe “më nuk shohim arsye për qëndrimin e UNMIK-ut në Kosovë. Burimet që ndahen për të mund të përdoren shumë më mirë gjetiu”, tha ajo.

Ambasadorja Çitaku tha se më 28 maj policia e Kosovës kreu një operacion kundër krimit të organizuar në shumë komuna të vendit dhe ai pasoi një periudhë të gjatë hetimesh.

Ajo tha se në mesin e atyre që bllokuan rrugën në komunën e Zubin Potokut në veriun e Kosovës gjatë operacionit ishte edhe një punonjës rus i UNMIK-ut i cili përdori makinën e misionit për të bartur një sharrë motorike që u përdor për prerjen e drunjve që bllokuan rrugën e madje vendosi makinën në mes të rrugës, duke u bërë “mburojë e të dyshuarve për krime”.

Ajo tha se Kosova është në favor të bisedimeve por nuk e pranon kushtëzimin e tyre, ndërsa akuzoi Beogradin se po ushtron trysni ndaj serbëve të Kosovës.

Mbledhja e sotme e Këshillit të Sigurimit ishte e dyta për vitin 2019. Në takimin muajit shkurt, Këshilli i Sigurimit arriti një marrëveshje që gjatë këtij viti të mbahen tre takime, ndërsa nga viti 2020, do të mbahen dy takime në vit, një në muajin prill dhe një në muajin tetor.