Dehari: Bashkëpunimi me institucionet dhe qytetarët ka ndihmuar masat preventive kundër virusit Korona

Kryetari i Kërçovës Fatmir Dehari thotë se në funksion të kësaj situate stabile kanë qenë institucionet relevante por edhe qytetarët të cilët i kanë respektuar masat qeveritare për preventivë ndaj kësaj pandemie globale.

Marketing

Komuna e Kërçovës në vazhdimësi ka bërë dezifektimin e rrugëve kryesore të qytetit, institucioneve të këtushme por edhe të hapësirave të qendrës spitalore të Kërçovës.

Në bashkëpunim me trupin koordinues, komuna është angazhuar që të zbatojë në përpikëri masat preventive kundër virusit Kovid 19 dhe është duke vazhduar me të njëjtin ritëm të bashkërëndisë aktivitetet me organet policore dhe institucionet shëndetsore në përballje me pandeminë globale, thotë kryetari i komunës së Kërçovës Fatmir Dehari, i cili me këtë rast u ka shprehur mirënjohje edhe qytetarëve të cilët përgjithësisht i kanë respektuar masat preventive të qeverisë.

Mësimi në distancë në shkollat e komunës së Kërçovës zhvillohet normalisht. Dehari thotë se për 40 nxënës të familjeve me status të rrezikuar social, përmes donacionit të një operatori telefonik, komuna do të ndajë mjete adekuate teknologjike që mundësojnë mësimin on-line.

Masat e kufizimit të lëvizjes gjatë ditëve të uikendit respektohen, por nga Sektori i Punëve të Brendshme në Ohër, njoftojnë se masën e kufizimit të lëvizjes gjatë natës së kaluar e kanë thyer katër persona, ndaj të cilëve është ngritur padi penale. Është hera e parë që rrugët janë të boshatisura dhe pa lëvizje të njerëzve, në një ditë të shtune, si ditë tregu në qytetin e Kërçovës.

Marketing