Demokratët paralajmërojnë tym e flakë në protestën e sotme, kërcënojnë me përplasje civile, zbardhet itinerari që do ndjekë opozita

Përfaqësuesit e opozitës e kanë bërë dje të qartë se nuk kanë aspak ndërmend të tërhiqen nga skenarët destabilizues. Përgjimet e publikuara nga “Bild”, duket se do të shfrytëzohen nga opozita, me shpresën për t’i dhënë goditjen finale qeverisë. Sot në orën 19.00 do të mbahet protesta e tetë, ku nuk përjashtohet që të ketë skenarë dhune. Gazeta e ka paralajmëruar se baza është mobilizuar pas daljes së përgjimeve, ndërsa dhe dje përfaqësues të PD-LSI kanë predikuar dhunë. Gazeta ka mësuar se protesta e sotme do jetë e ngjashme në disa aspekte, me ato të ditëve të tjera. PD ka kërkuar leje deri në mesnatë dhe po ashtu ka bërë të ditur se do të jetë një marshim protestë. Turma do grumbullohet para Kryeministrisë, ndërsa më pas do zhvendoset te Kuvendi. Kjo është dhe zona ku ka pasur vazhdimisht përplasje kohët e fundit dhe pritet të shfrytëzohet nga militantët. I pari që dha sinjale se do kemi tensione është ish-kreu i grupit parlamentar të PD, Edmond Spaho. Në një studio televizive ai tha se 8 qershori do jetë mësim i mirë për Ramën. “Të shtunën kanë marrë fund fjalët, do të flasin qytetarët. Në çdo protestë, pjesëmarrja ka qenë më e madhe sesa ajo paraardhësja. Shoqëruar kjo edhe me zhvillimet e ditëve të fundit, ku qartazi vërtetohet bashkëpunimi i qeverisë me krimin e organizuar për vjedhjen e zgjedhjeve të vitit 2017, sigurisht që reagimi i qytetarëve do të jetë në maksimum”, tha Spaho duke paralajmëruar në këtë mënyrë tym e flakë. Spaho këmbënguli se në 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje. Por, si do të pamundësohen ato? “Shpresoj që përgjigjen do ta marrim me datë 8”, u përgjigj Spaho.

Marketing

Përplasje civile

Në të njëjtën linjë ka qenë dhe kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Duke zhvilluar disa takime në Gjermani, ai ka thënë se Shqipëria është duke shkuar drejt përplasjes civile. “Shqipëria është në prag konflikti prandaj mbështetja e Bundestagut, veçanërisht deklarata e Johann Wadephul, dhe Christian Schmidt janë një mbështetje për ndalimin e marrëzisë së Ramës”, tha Mediu në takim. Paralajmërime për dhunë dha dhe ish-deputeti Klevis Balliu, i cili duke folur në protestën e banorëve të “Astirit” ju drejtua Ramës: “Nëse je burrë rri në zyrë, jo në krevatin e Avdylajve. Ti mor zotëri marrëdhëniet tënde e ke me krimin. Ti me krimin betonizove Tiranën. Ti ke 27 vite që i shpëton drejtësisë. Tani do shkosh para drejtësisë, për vjedhjen e Tiranës. Ti kërkon dialog o i mjerë, për të negociuar për kokën tënde. Por ne nuk negociojmë me kriminelë si puna jote”. Dy ditë më parë i ashpër ishte Sali Berisha, i cli deklaroi se do të ketë luftë. Dalja e përgjimeve nga “Bild” ka qenë një strategji e mirëmenduar e opozitës. 30 qershori po afron dhe shanset për të rrëzuar qeverinë po zbehen. Për këtë arsye PD e LSI pritet të shfrytëzojnë në maksimum protestën e 8 qershorit, ndërsa dhe në dy javët e tjera mund të kemi të tjera protesta të dhunshme. Situatën e ka marrë në dorë Sali Berisha. Ai disa herë paralajmëroi se do kemi përplasje civile dhe duket se tani është shansi. Përgjimet e “Bild” u nxorën qëllimisht në prag të protestës, për të justifikuar dhunën e sotme.

Planet e PD-LSI

PD e LSI dogjën mandatet me shpresën se kryeministri Rama do të tërhiqej dhe më 30 qershor të kishim zgjedhje vendore dhe të përgjithshme. Por sharra u ngeci në gozhdë dhe planet nuk ecwn si duhet. Berisha e Meta e kanë kuptuar se tani PD e LSI janë në prag shkrirjeje. Nëse më 30 qershor kemi një proces normal, pastaj nuk ka më kthim pas dhe partitë kryesore të opozitës e humbin mbështetjen në pushtetin vendor. Sot është data 8 dhe na ndajnë 3 javë nga zgjedhjet. Pritet që në këto javë të ketë protesta të vazhdueshme me shpresën se Rama do të tërhiqet. Plani final i PD dhe LSI është bllokimi i qendrave të votimit. Sipas informacioneve, më 29 qershor grupe të caktuara do tentojnë të bllokojnë shpërndarjen e materialeve zgjedhore. Dje Basha reagoi për situatën dhe e tregoi se nuk ka dialog. Kjo do të thotë se PD e LSI e kanë ndarë mendjen për të çuar në zgrip vendin.

Marketing