Dënimi me dy vite burg në rastin “Tanku” të PPS-së i ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, ka marrë vëmendje të gjerë në mediat ndërkombëtare.

“Ish kryeministri maqedonas, Gruevski, dënohet për makinë luksoze”,- është titulli i prestigjiozes “Reuters”, që sqaron se Nikolla Gruevski është shpallur fajtor për ndikim në Komision tenderues për të mbështetur një furnizues veturash mercedes, në këmbim të favoreve të furnizuesit.

Prestigjiozja tjetër “Washington Post” shkruan se gjykata vendosi që Gruevski, si kryeministër në periudhën 2006-2016, ka ndikuar ndaj personave zyrtarë në blerjen e një mercedesi me vlerë prej rreth 600 mijë eurosh. Duke iu referuar gjykimit, gazeta shkruan se ish-kryeministri Gruevski ka mohuar të ketë bërë veprime joligjore.

“Deutsce Welle” në artikullin e saj ka publikuar akuzën që ka rënduar mbi të, se Gruevski ka kërkuar nga ministrja e brendshme, Gordana Jankulloska, që të blihet veturë luksoze, kurse sa i përket vuajtjes së dënimit, ai do të mbetet në liri deri në kthimin e vendimit në të plotfuqishëm, pra pas ankimimeve.

Ndryshe nga të tjerat, “BBC” ka shkruar se Prokuroria ka përdorur përgjimet e paligjshme për të dëshmuar dhe ngritur akuzë se Gruevski kishte ndikuar te Komisioni tenderues për mbështetje të një furnizuesi veturash mercedes, për të blerë një të tillë për përdorim personal të tij.

Lajmit për dënimin e Gruevskit i është dhënë një vëmendje e gjerë edhe në mediat e vendeve fqinje, përfshirë këtu Shqipërinë dhe Kosovën.