Dënohet me 12 vjet burg prifti i cili dhunonte gratë gjatë ekzorcizmit

Gjykata e Santa Maria Capua Vetere në Kazerta të Italisë dënoi me 12 vjet burg Michele Barone, ish prifti i Dioqezës së Aversës, i akuzuar për abuzim dhe dhunë seksuale ndaj 3 femrave, njëra prej të cilave ishte minorene, ndërsa praktikonte rite ekzorcizmi të paautorizuara.

Marketing

Prokuroria kishte kërkuar 22 vjet burg për priftin e tempullit të Casapesenna, aktet e paligjshme të të cilit u denoncuan në emisionin investigativ “Le Iene”.

Gjykata i quajti të pamjaftueshme provat për akuzën e abuzimit seksual të pretenduar kundër Barones ndaj dy viktimave maxhorene dhe e shpallën fajtor për akuzën tjetër të dhunës, keqtrajtimit dhe lëndimeve të rënda.

Gjykata dënoi dhe prindërit e minorenes, të cilët u akuzuan se nuk e ndaluan dhunën e ish priftit ndaj vajzës së tyre, për të cilën besonin se ishte e “pushtuar nga djalli”. Gjithashtu u shkarkua nga detyra dhe një funksionar i policisë, i cili kishte mbuluar hetimet mbi don Baronen dhe i kishte bërë presion motrës së minorenes që të tërhiqte denoncimin.

Don Barone u arrestua në shkurt të vitit 2018 në aeroportin e Capodichino, pas kthimit nga një udhëtim fetar në Poloni, ku ishte së bashku me prindërit e minorenes. Pas arrestimit aiu u pezullua nga peshkopi i Aversës dhe më pas Papa Francesku vendosi për largimin e tij.