Mbrëmë në mesnatë skadoi afati për paraqitje për votim të diasporës për referendumin e ardhshëm dhe për kontroll në Listën zgjedhore. Në Komisionin Shtetëror Zgjedhor deri dje pasdite ishin dorëzuar 2.437 paraqitje nga qytetarë për të votuar në përfaqësitë diplomatike-konsullare të Republikës së Maqedonisë jashtë vendit.

Numër më i madh paraqitjesh për votim janë në Bernë – 256, Lubjanë – 213, në Londër – 127, në Toronto – 136, Vjenë – 108, Kanberrë – 99, ndërsa më së paku janë paraqitur në Talin, Kiev dhe Prishtinë – nga një paraqitje, dhe Nju-Delhi, Kajro dhe Sarajevë – nga dy paraqitje.

Votimi jashtë vendit do të mbahet më 29 shtator në përfaqësitë diplomatike-konsullare dhe zyret e Republikës së Maqedonisë në të cilat janë pranuar së paku 10 paraqitje për votim.

Nga KSHZ informojnë edhe se deri të mërkurën gjithsejt 4.959 qytetarë kanë kontrolluar të dhënat në Listën zgjedhore. Numër më i madh i qytetarëve kanë kryer kontroll në Strumicë – 509, Manastir – 454, Karposh – 431.

Nga Qeveria dje kumtuan se në mbledhjen e fundit ka sjellur vendim me të cilin e ka obliguar Ministrinë e Financave të përgatitë propozim-vendim për sigurimin e 80 milionlë denarëve nga rezerva rrjedhëse buxhetore, përkatësisht nga zëri – funksione të shtetit nga buxheti i Minsitrisë, të cilat do të vihen në disponim për zbatimin e fushatës së Kuvendit si propozues i autorizuar i referendumit.

“Mjetet në shumë prej 80 milionë denarëve që Qeveria i siguroi për Kuvendin për fushatën për referendumin janë për deputetët dhe subjektet politike të cilat janë zgjedhur në zgjedhjet e fundit parlamentare”, theksoi dje në konferencë për shtyp zëdhënësi qeveritar, Mile Boshnjakovski.

Këto mjete, potencoi Boshnjakovski, janë nga zëri nga Buxheti rrjedhës dhe nuk ka nevojë për ribalanc të Buxhetit. Kur do të transferohen paratë në Kuvend, ende nuk ka informata. Nëse në fund të fushatës ka mjete të pashmenzuara, ato, siç tha zëdhënësi i Qeverisë, do të kthehen në Buxhetin e Republikës së Maqedonisë.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ndërkaq dje parashtroi një njoftim për grupet parlamentare në të cilin ai kërkon që brenda tri ditëve të përgjigjen nëse do të merrnin pjesë në propagandën publike për referendumin që do të zhvillohet nga Parlamenti, si dhe për atë se çfarë fushatë do të bëjnë, nëse do të jenë “pro” ose “kundër” pyetjes së referendumit.

Ky njoftim i është dërguar koordinatorëve të grupeve parlamentare të LSDM-së, BDI-së, VMRODPMNE-së, BESË-s si dhe deputetëve të PDSH-së dhe Aleancës për Shqiptarët.

Afatin treditor Xhaferi koordinatorëve të grupeve parlamentare ua jep për të informuar atë nëse do të marrin pjesë në propagandën publike dhe nëse do të bëjnë fushatë “pro” apo “kundër” pyetjes së referendumit për shpërndarjen e planifikuar dhe adekuate të këtyre fondeve për realizimin e propagandës publike.

Kuvendi të mërkurën formoi Trup koordinues për zbatimin e referendumit në nivel shtetëror më 30 shtator dhe udhëheqje të fushatës publike, ndërsa me të do të kryesojë Xhaferi.