Koordinatorja e grupit të deputetëve të pavarur, të cilët u përjashtuan nga VMRO-DPMNE Elizabeta Kançeska-Milevska, sot në konferencë për shtyp njoftoi se pas takimit të mbrëmshëm që kanë pasur me kryeministrin Zoran Zaev, kërkesat e tyre për ndryshimin e Kushtetutës janë pranuar nga qeveria.

Ajo tha se ata kanë pasur tre kërkesa në lidhje me draft-amendamentet dhe për të njëjtat kanë marrë premtim nga qeveria se do të vendosen në amendamentet që pritet sot të dorëzohen në Kuvend

“Mbrëmë me kryeministrin kemi diskutuar për propozimet tona që duhet të përfshihen në amendamentet. Nga qeveria u njoftuam se propozimet tona janë pranuar do të vendosen në draft-amendamentet. Kërkesa jonë e parë ka qenë garantimi i identitetit maqedonas. Ky propozim do të vendoset në nenin 49 në Kushtetutë dhe do të garantojë trashëgiminë kulturore dhe historike maqedonase. Kërkesa e dytë është nëse Greqia nuk ratifikon marrëveshjen dhe sërish bllokon rrugën euroatlantike, do të ketë shfuqizim të të gjitha amendamenteve që dalin nga marrëveshja me Greqinë dhe asgjë nuk do të vlejë. Kërkesa e tretë është për ndryshimin e emrit dhe përdorimin e jashtëm të tij. Gjegjësisht në çdo dokument, ndryshimet duhet të bëhen brenda 5 viteve”, tha mes tjerash Kançeska-Milevska.
Ajo tha se presin që të përfshihen në procesin për amendamentet kushtetuese dhe ftuan edhe deputetët tjerë që të kyçen në ndryshimin e Kushtetutës, pasi siç tha, është e nevojshme që të marrin pjesë të gjithë deputetët në këtë proces të rëndësishëm për shtetin.

Kançeska-Milevska tha se edhe zyrtarisht do ta njoftojnë kryetarin e Kuvendit se në të ardhmen do të veprojnë si deputetë të pavarur në Kuvend.