Deputeti i Lëvizjes BESA, Rexhep Memedi ka shprehur qëndrimin lidhur me referendumin e shpallur me 30 shtator të këtij vitit. Sipas tij, për Lëvizjen BESA anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe BE është shtylla kryesore programore që siguron stabilitet dhe të ardhme për vendin.
“Të gjithë ne jemi të interesuar thellësisht që Maqedonia jo vetëm të mbetet, por ajo të jetë një vend stabil dhe i zhvilluar. Prandaj, kur i kemi në konsideratë këto ideale, që janë idealet e shumë gjeneratave, Lëvizja BESA do ta mbështesë fuqimisht referendumin, do të bëjë thirrje që ai të kalojë në mënyrë të suksesshme, madje edhe do të organizojë fushatë për të.”, theksoi Memedi.

Ai ka nënvizuar edhe vërejtjet në marrëveshje që kanë të bëjnë me shqiptarët.

“Ndërkaq, shqiptarëve të mi u them se jo që ne nuk kemi vërejtje të caktuara për procesin e deritanishëm, por duke e ditur se referendumi është mundësia jonë e shkëlqyeshme që edhe si shtet, por edhe si shqiptarë në këtë shtet, të shkëputemi nga zona e trazuar dhe të jemi përkrah vendeve stabile dhe të zhvilluar, kemi synuar që ato t’i shtrojmë gjatë rrugës, në mënyrë që të mos e pengojmë procesin. Le ët jetë kompromisi jonë anëtarësimi në NATO. Prandaj, ju lus që ta kuptoni këtë si detyrim të lartë patriotik dhe gjatë kësaj kohe t’u shmangeni tensioneve ndëretnike, sepse ideali për të qenë pjesë e NATO-s është mbi çdo interes tjetër. Ne, si shqiptarë, e kemi detyrim dhe shpëtim kombëtar anëtarësimin në NATO.”, theksoi Memedi, duke shtuar se kjo gjeneratë ka përgegjësi historike.