Deputeti shqiptar dhunon gruan dhe djalin, gjykata:Qëndroju 200 metra larg

Kryetari i Partisë Konservatore njëherësh deputeti i Parlamentit Shqiptar, Kujtim Gjuzi, është urdhëruar nga gjykata ti qëndrojë 200 metra larg bashkëshortes dhe djalit të tij, 16-vjeçar.

Marketing

Dyshohet se si pasojë e një konflikti në familje, në muajin nëntor të vitit 2019, deputeti ka ushtruar dhunë ndaj gruas me inicialet M.K. dhe të birit H.Gj. Këta të fundit, më pas e kanë denoncuar deputetin në polici. Si rrjedhojë, çështja ka përfunduar në gjykatën e Tiranës, ku gruaja dhe i biri kanë kërkuar një Urdhër-Mbrojtje.

Sipas “Shqiptarja.com”, gjyqtarja Kaçe Agolli, ka pranuar kërkesën e tyre, duke i pajisur me urdhrin e mbrojtjes. Në vendimin e gjykatës, Gjuzi urdhërohet të mos kryejë dhunë në familje, dhe të mos cënojë dhe ngacmojë gruan dhe djalin e tij.

Në vendim thuhet po ashtu se deputeti ndalohet të shkojë apo të qëndrojë në apartamentin në pronësi të gruas dhe djalit, në një distancë prej 200 metra. Po kështu nëpërmjet këtij vendimi të gjykatës së Tiranës, urdhërohet që të dyja palët si deputeti Kujtim Gjuzi dhe gruaja e tij, të bëjnë përpjekje maksimale për ti siguruar fëmijës së tyre H.Gj, qetësi dhe të mos e përfshijnë fëmijën në problematikat e tyre.

Një tjetër pikë e vendimit është dhe një urdhëresë që i lëshohet komisariatit nr. 1 në Tiranë, ku efektivët duhet të shoqërojnë deputetin Kujtim Gjuzi për të tërhequr sendet personale nga apartamenti.

Mësohet se ky vendim tashmë është lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit Tiranë. Si për ironi të fatit, vetë deputeti Gjuzi, pritet të votojë në ditët në vijim paketën ligjore për ashpërsimin e dënimit të dhunuesve të grave.

Marketing