Pushteti dhe opozita arritën marrëveshje për referendumin, pasi që u dakorduan për të votuar ligjet që i kërkonte partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE. Ligji për financimin e partive, ligji për qeveri teknike dhe zgjedhja e përbërjes së re të Komisionit Shtetëror Zgjedhor ishin pikat që duhej të kalonin në Kuvend para shpalljes së referendumit.

Seanca e Kuvendit për të shpallur datën së referendumit pritet të zhvillohet deri në fund të javës. Më pas KSHZ që u zgjodh me mandat vetëm për organizimin e referendumit do të nis me përgatitjet e tij.

Kryeministri Zoran Zaev paralajmëroi se 30 shtatori është data e mundshme, ndërsa kërkoi që opozita të shprehë qëndrimin e saj se a do të bojkotojë ose do të veprojë ndryshe.

“Edhe të mos ketë marrëveshje me VMRO-DPMNE, ne do të vijojmë me organizimin e referendumit. Detyrë e të gjithve është që procesi të jetë i suksesshëm”, theksoi kryeministri Zaev.

Sipas tij, në rast se nuk arrihet pragu i daljes në referendum, atëherë finalizimi i Marrëveshjes me Greqinë mbetet në duart e Kuvendit që të vendos përmes ndryshimeve kushtetuese.

Debati mes partive po zhvillohet edhe rreth pyetjes së referendumit, që po ashtu ka dallime. Në rast se referendumi do të rezultojë i suksesshëm, atëherë vendi do ta zyrtarizojë emrin Republika e Maqedonisë Veriore, ndërsa pas kësaj vijon anëtarësimi në NATO dhe hapja e negociatave për anëtarësim në BE./IBNA