Deri në fund të vitit pritet të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare, bashkëpunimi dypalësh në plan të parë

Pas mesazheve pozitive që i mori Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në Bruksel, dhe shpresës së shfaqur për hapjen e shpejtë të negociatave nga ambasadori i ri i BE-së në vend, Dejvid Gir, si dhe pas mbështetjes për perspektivat evropiane të RMV-së, të shfaqura në letrën e Përfaqësuesit të lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Zhosep Borell, drejtuar Zëvendëskryeministrit përgjegjës për Integrimin Evropian, Nikolla Dimitrov, pritet mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare, e cila do ta shënojë fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian.

Marketing

Thellimi i marrëdhënieve dypalëshe është ndër hapat kryesorë në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së. Marrëveshja e Prespës dhe Marrëveshja e Fqinjësisë së Mirë vlerësohen si shembuj pozitivë, ndërsa siç paralajmëroi Osmani, do të vijojë edhe intensifikim i kontakteve me Sofjen në mënyrë që të tejkalohet problemet.

Në intervistën për MIA-n, Gir shfaqi shpresë se konferenca e parë ndërqeveritare do të mbahet shumë shpejt.

“Tani është e nevojshme që vendet anëtare të bien dakord për versionin përfundimtar të kornizës negociuese, e cila praktikisht e hap derën për t’i filluar negociatat”, theksoi ai.

Gir e vlerësoi Marrëveshjen e Prespës dhe Marrëveshjen e Miqësisë me Bullgarinë si shembuj pozitivë jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.

“Është shumë e rëndësishme të vazhdohet me zbatimin e këtyre marrëveshjeve bilaterale në një atmosferë të mirë”, theksoi euroambasadori i ri.

Borell, në letrën drejtuar Dimitrovit, theksoi se ai e pret me padurim miratimin e Kornizës negociuese dhe mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare.

“Jini të sigurt për angazhimin tim personal për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE”, tha Borell.

Ai theksoi se Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe unë e di, siç theksoi, që ju e ndani vendosmërinë time për ta parë Maqedoninë e Veriut, si dhe rajonin në tërësi, si përparon në perspektivën evropiane.

Osmani realizoi vizitë dyditore në Bruksel, ku u takua me Borell, Zëvendëskryetaren e Komisionit Evropian përgjegjëse për Demokraci dhe Demografi si dhe për konferencë për të ardhmen e Evropës, Dubravka Shuica, eurokomisarin për Politikë Fqinje dhe Zgjerim, Oliver Varheji, si dhe me zyrtarë të lartë të Parlamentit Evropian dhe eurodeputetë.

Ai, gjatë vizitës, nga të gjithë eurodeputetët mori mesazhe inkurajuese që Maqedonia e Veriut duhet të fillojë me negociatat e anëtarësimit në BE deri në fund të këtij viti, siç planifikon presidenca gjermane.

Parlamenti Evropian është angazhuar ta ndihmojë Maqedoninë e Veriut t’i fillojë negociatat deri në fund të këtij viti. Ata gjithashtu theksuan se vendi duhet të vazhdojë me reformat, ndërsa pka aralajmëruar vazhdimin e dialogut “Zhan Mone” për lehtësimin e dialogut politik midis palëve në Parlament.

Në takimin me Borell, Osmanit iu dërgua një mesazh se pritet nga qeveria e Maqedonisë të vazhdojë t’i përmbush reformat e anëtarësimit në BE, ta ruajë dhe përshpejtojë zbatimin e reformave të lidhura me BE-në, veçanërisht në drejtim të sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

Ministri i Punëve të Jashtme gjithashtu paralajmëroi edhe intensifikimin e kontakteve me Bullgarinë në mënyrë që të zgjidhen problemet, ndërsa në lidhje me Komisionin Multidisiplinar për Çështje Historike dhe Arsimore, arriti në përfundimin se ata duhet ta vazhdojnë punën e tyre për të arritur progres.

Marketing