Kryetari i ri i Komisionit shtetëror zgjedhor (KSHZ), Oliver Derkoski në deklaratë për MIA-n thotë se aktivitetet e para të Komisionit do të jenë konstituimi i tij, ndërsa më pas edhe zbatimi i referendumit për emrin. Derkoski, i cili është në krye të komisionit, vjen në propozim të VMRO-DPMNE-së opozitare, thotë se anëtarët e KSHZ-së në këtë situatë nuk mund të marrin qëndrime politike por duhet t’i respektojnë ligjet dhe Kushtetutën.

“Si hap i parë i Komisionit të ri do të jetë mbledhja kosntituive e KSHZ-së dhe më pas si organ që duhet të zbatojë referendum të ardhshëm do të duhet t’i ndërmarrim hapat e parë në atë drejtim. Shpresoj se do të arrijmë t’i përgjigjemi detyrës së sapovendosur në pajtim me Kushtetutën dhe rregullat pozitive ligjore që e imponojnë atë”, tha kryetari i ri i KSHZ-së.

Lidhur me aktivitetet e referendumit, Derkoski thotë se në pajtim me Ligjin për referendum, propozuesi i autorizuar, në këtë rast Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, duhet ta sjellë vendimin për referendumin, që më pas, në mënyrë operative, KSHZ, në pajtim me nenin 31 të Ligjit për referendum, t’i ndërmarrë kompetencat e veta rreth organizimit dhe prëgatitjeve teknike të vetë referendumit, përkatësisht zbatimit të vendimit.

Në takimin e fundit të liderëve të hënën, partitë në pushtet dhe partia opozitare nuk arritën pajtueshmëri lidhur me referendumin për emrin, ndërkaq siç deklaruan liderët, mospajtimet kryesore ishin rreth pyetjes së referendumit.

Derkoski në deklaratën për MIA-n thotë se, pa dallim që vjen nga VMRO-DPMNE, ai dhe të gjithë anëatrët e tjerë të KSHZ-së janë anëtarë të një organi shtetëror që ka detyra, autorizime dhe kompetenca të caktuara.

“Qëndrime politike në këtë moment dhe në këtë situatë nuk mund të marrim, sepse duhet t’i respektojmë rregullat pozitive ligjore dhe Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë”, tha Derkoski.

Ai dhe anëatrët e tjerë të sapozgjedhur të KSHZ-së sot duhej të japin deklarata solemne para kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, pas çka duhej edhe zyrtarisht të marrin funksionet e tyre. Kjo u shtye, për shkak se Xhaferi duhej të nisej për në Prishtinë. Deklaratat solemne janë caktuar për të hënën.