Kreu i KShZ-së, Oliver Derkoski, ka mohuar se në Listën Zgjedhore ka ende nga të ashtuquajturit “votues fantomë”…

Sipas tij, mospërputhjet në rreth 6 mijë raste të të dhënave të votuesve, ka të bëjë me faktin se persona të caktuar ende nuk i kanë ndryshuar të dhënat e tyre të vendbanimit, prandaj gjenden ende në adresat e vjetra.

Sipas tij, Kodi Zgjedhor është kategori e cila vazhdimisht ndryshon dhe se kompetencë e KShZ-së është marrja e të dhënave nga MPB dhe ridistribuimi i tyre.

“Edhe në të ardhmen KShZ në bashkëpunim me të gjitha institucionet kompetente, do të vazhdojë të bëjë korrigjime të Kodit Zgjedhor. Unë konsideroj se në Kodin Zgjedhor nuk ka të ashtuquajtur votues fantomë, por ka njerëz që për arsye të ndryshme kanë të dhëna të ndryshme në Listën Zgjedhore dhe konsideroj se ky numër është zvogëluar në 5 apo 6 mijë persona”,- tha kryetari i KShZ-së, Oliver Derkoski.

KShZ ndërkohë ka publikuar edhe numrin zyrtar të votuesve në diasporë. Janë gjithsej 2768 votues nga diaspora që do të votojnë më 29 shtator në referendumin për emrin.

“Do të votohet në Bern, Venecia, Lublanë, Munih, Nju Jork, Çikago, Sofje, Oslo, në Zagreb, Vjenë, Toronto, Londër, Berlin, Melburn, në Bruksel, Paris, Romë, Uashington, Detroit, Abu Dabi, Ankara, në Sofje, Stokholm, Toronto, Hagë dhe Çikago. Në këto vendvotime diaspora do ta shpreh qëndrimin për sa i përket çështjes së referendumit”,- theksoi anëtari i KShZ-së, Janakie Vitanovski.

Referendumin në diasporë do ta realizojnë 33 këshilla zgjedhorë, 115 anëtarë të të cilave shkojnë nga Maqedonia në diasporë dhe 83 janë të punësuar aktualë në ambasadë apo konsullatë.

KShZ ndau edhe autorizime për 3 subjekte të interesuara për vëzhgimin e procesit, misioni vëzhgues i OSBE – ODHIR-it, Komiteti për Demokraci të Hapur dhe Fondacioni për Shpëtimin e Vendit