E para e drejtësisë Deskoska kërkon më shumë kompetenca për komisionin antikorrupsion në fushën e kontrollimit të të ardhurave të funksionarëve shtetëror. Projektligji i ri për parandalimin e korrupsionit parasheh që anëtarët e komisionit të mos kenë pasur lidhje politikë në 10 vitet e fundit. Deskoska tha se teksti i ligjit është punuar nga grupe ekspertësh dhe do të ketë risi me qëllim plotësimin e rekomandimeve nga ndërkombëtarët.

“Në pjesën e rritjes së përgjegjësive të Komisionit Antikorrupsion janë dhënë kompetenca më të forta që nënkuptojnë qasje deri tek llogaritë bankare të personave që janë bartës të funksioneve publike dhe në kontrollimin e pronës. Është paraparë edhe bazë për financim më të madh të Antikorrupsionit me qëllim që të mund të kryej kompetencat e veta”, tha Renata Deskoska, ministre e drejtësisë.

Dikasteri i drejtësisë propozon që shoqatat e gazetarëve dhe OJQ-të që veprojnë në fushën e korrupsionit të kyçen drejtpërdrejtë në procesin e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Komisionit. Propozimet do të kalojnë në procedurë parlamentare menjëherë pas referendumit.

“Ishte koha për përgatitjen e një ligji të ri për parandalimin e korrupsionit. Çështje që duhet të zgjidhet në ligj është çështja se si ky trup do të bashkëpunojë me Institucionet tjera dhe çfarë kompetenca do të ketë”, u shpreh Sllagjana Taseva, Transparency International.

Komisioni për anti-korrupsion do të përbëhet nga kryetari dhe katër anëtarë, të cilët do zgjedhën nga Kuvendi dhe pa të drejtë rizgjedhjeje pesë vite pas mandatit të parë. Për nënkryetar të Komisionit do të vlejë parimi i rotacionit, duke u zgjedhur me shumicë votash çdo 6 muaj. Për shkak të përfundimit të mandatit, Komisioni Antikorrupsion nuk funksionon tash gjashtë muaj.