Nëse anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, nuk zgjedhen me kohë, atëherë mund të ketë probleme në organizimin e referendumit, kështu thotë ministrja e drejtësisë Renata Deskoska. Sipas saj çdo vonesë mund të thotë që anëtarët e rinj të mos jenë mjaft të përgatitur për t’i realizuar aktivitetet e nevojshme.

“Zgjedhja e anëtarëve të KSHZ-së nuk duhet të vendoset në pako me amnistitë, me asnjë kusht për një Qeveri teknike apo të Përzhinës, sepse neve na duhen institucione që do të funksiononin, veçanërisht kur bëhet fjalë për referendumin”, tha ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska.

Se KSHZ-ja nuk duhet të kushtëzohet me asnjë lloj ligji, pajtohet edhe funksionari i lartë i BDI-së Artan Grubi.
Duhet të arrihet një kompromis midis partive politike në veçanti, mes LSDM dhe VMRO-DPMNE-së në lidhje me ligjet tjera, por sipas nesh KSHZ-ja nuk duhet të jetë peng i llogarive të tjera të partive politike për politika ditore por duhet të zgjidhim sa më shpejt që ta realizojmë me sukses referendumin si dhe të realizojmë hapat e marrëveshjes që kemi arritur me Greqinë, si dhe ndryshimet kushtetuese” tha deputeti i BDI-së, Artan Grubi.

Për formimin e KSHZ-së, deputeti i LSDM-së Hari Llokvenec, tha se kjo është një çështje kyçe për mbajtjen e referendumit dhe se është prioritet për të gjithë.

“Konsiderojmë se opozita do të ndërgjegjësohet dhe do ta zhbllokojë këtë proces shumë të rëndësishëm për të gjithë qytetarët e Maqedonisë. Pëmes formimit të KSHZ-së, hapet rruga për fillimin e të gjitha procedurave që kanë të bëjnë me shpalljen e referendumit” tha deputeti i LSDM-së, Hari Llokvenec.

Nga VMRO-DPMNE kërkojnë të sillen dy ligje, i pari për Qeverinë dhe i dyti për financimin e partive politike. Së fundmi kryetari i Komisionit për zgjedhje dhe emërime Ilja Dimovski, tha se nuk do të caktojë seancë në komisionin përgjegjës për zgjedhjen e anëtarëve të KSHZ-së deri sa partitë nuk i harmonizojnë qëndrimet e tyre.