Destani: Bashkëpunim më i madh mes diasporës dhe institucioneve në trojet shqiptare

Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare (RrBDSh) ka realizuar takimin e radhës të degëve të saj në mbarë Europën duke prezantuar progresin e deritanishëm dhe projektet e ardhshme që kanë të bëjnë konkretisht me investimet në trojet shqiptare.

Marketing

Kam kënaqësinë t’ju njoftoj mbi mbajtjen e takimit të degëve nga shumë vende europiane të Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare (RrBDSh). Takimin e mbajtëm dje në hapësirat e Klubit Ekonomik të Ecolog-ut në Dyzeldorf ku e pata për kënaqësi të jem nikoqir i strukturave të RrBDSh-së, nga degët e Europës, ka njoftuar Lazim Destani.

Gjatë punimeve të këtij takimi, të kryesuar nga kryetari i Rrjetit për Europë Yll Blakaj, kryetarët e degëve nga vendet përkatëse europiane prezantuan progresin e deritashëm gjatë këtij viti afarist si dhe paraqitën propozimet dhe projekt-idetë e tyre për projekte konkrete investimi në trojet tona. Projektet janë nga sfera të ndryshme ndërsa kryesisht synojnë sektorin e energjisë, financave, atë të shërbimeve, e kështu me radhë.

Është admirues fakti që ndër anëtarët e Rrjetit tashmë është arritur një nivel organizimi i lartë ku spikat fryma e bashkëpunimit dhe bashkërrenditja e aktiviteteve të tyre për realizimin e projekteve madhore.

Nga anëtarët e takimit sërish u nënvizua konstatimi i përbashkët për nevojën e rritjes së bashkëpunimit dhe efikasitetit ndërmjet strukturave të Rrjetit dhe institucioneve përkatëse në trojet tona. Një bashkëpunim i mirëfilltë mes këtyre do të ishte në funksion të krijimit të ambientit të përshtatshëm për nxitjen e investimeve të huaja dhe në veçanti për motivimin e investitorëve shqiptarë të cilët me shumë sukses po operojnë në botën perëndimore.

Marketing