Detaje/ Si ndodhi aksidenti me 4 viktima nga e njëjta familje

Katër persona humbën jetën në një aksident tragjik, pasditen e kësaj të hëne në aksin nacional Elbasan-Peqin, pranë fshatit Papër.

Tre automjetet u përplasën njëra me tjetrën, ndërsa për të nxjerrë trupat është dashur ndërhyrja e forcave zjarrfikëse.

Viktimat e aksidentit, ishin të afërt njëri me tjetrin dhe po udhëtonin me makinën tip “Seat”, të drejtuar nga Gëzim Kotorri.

Shoferi i automjetit tjetër që është përfshirë në këtë aksident quhet Oltion Shehi, ndërsa shoferi i tretë është E.R.

Kanë humbur jetën në aksident: 30-vjeçarja Jonida Kotorri, e cila jetonte në Tiranë; Fatushe Agolli, 68 vjeçe, Lumturi Hoxha, 58 vjeçe dhe drejtuesi i makinës tip “Seat”, Gëzim Kotorri, 55 vjeç.

Mësohet se 4 personat udhëtonin drejt Elbasanit ku do të shkonin në një ceremoni mortore. Nga hetimet paraprake të policisë rezulton se parakalimi i gabuar si dhe shpejtësia tej normave të lejuara ka shkaktuar aksidentin.

evn