Katër subjektet më të mëdha politike në vend kanë qëndrime të ndryshme lidhur me modelin zgjedhor. LSDM-ja qeveritare kërkon vendosjes të njësisë zgjedhore me lista të hapura, sipas VMRO-DPMNE-së qytetarët më së miri do të prezantohen me model zgjedhor të shumicës, për BDI-në më i mirë është sistemi me gjashtë njësi zgjedhore, ndërsa Aleanca për Shqiptarët është për tetë njësi zgjedhore.

“Ne në fushatën parazgjedhore në vitin 2016 në programin tonë premtuan dhe qëndrojmë në propozimin tonë që vendi ynë të jetë një njësi zgjedhore, madje jemi që të shkohet një hap më tutje dhe të ketë lista të hapura”, thotë për “Detektor”, nënkryetari i LSDM-së, Muhamed Zeqiri.

Por, me ta nuk pajtohet as partneri i tyre i koalicionit BDI. Në Reçicë të Vogël janë të qëndrimit se modeli aktual zgjedhor më së miri i prezanton qytetarët.

“Për prezantimin e bashkësive etnike në një shtet multilateral dhe multietnik siç është Republika e Maqedonisë mendojmë se solucioni më i mirë, sistemi më i mirë është me gjashtë njësitë zgjedhore sepse siguron përfaqësim proporcional të të gjitha bashkësive në Kuvendin e Republikë së Maqedonisë”, thotë deputeti i BDI-së, Artan Grubi.

Sipas partisë më të madhe opozitare, më mirë është të ketë sa njësi zgjedhore sa ka deputetë në Kuvend, në këtë rast, 120.
“Propozimi ynë është t’i kthejmë deputetët atje prej ku vijnë dhe të shkojmë me një sistem të cilin e kishim në fillim të viteve të nëntëdhjeta. Ajo është se 120 njësi zgjedhore sipas parimit të sistemit të shumicës siç është në Britani të Madhe, Kanada, SHBA, me votim plural. Ai i cili do të fitojë në rrethin e parë numër më të madh të votave të bëhet deputet”, thotë deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski.

Nga opozita në bllokun etnik shqiptar vjen një propozim mjaftë i ri, formim i tetë njësive zgjedhore.
“Kemi propozim që zgjedhjet të organizohen në tetë njësi zgjedhore, në pajtim me rajonet aktuale zhvillimore që i kemi në shtet. Jemi për lista të hapura cili do qoftë model që të zgjidhet”, thotë Suriha Rashidi, nga Aleanca për Shqiptarët.

Kohë më parë, disa parti më të vogla politike, të mbështetura nga presidenti Stevo Pendarovski, si dhe para çdo cikli zgjedhor e hapën debatin për ndryshim të modelit zgjedhor. .