Dhjetëra makina policore ‘pushtuan’ rrugët e Shkupit

Mbi pesëdhjetë automjete të policisë kanë defiluar mbrëmë në rrugën e Ilindenit dhe në parkingun e Qendrës Sportive “Boris Trajkovski”.

Marketing

MPB më pas sqaroi se makina policore me sirena të ndezura kishin dalur për të xhiruar spot publicitar me rastin e festës së policisë.

Ministri i MPB-së, Naqe Çulev pas informacioneve të shpërndara nëpër media të ndryshme shkroi në profilin e tij në rrjetet sociale se bëhet fjalë për xhirimin e një videomateriali që po përgatitet për 7 Majin – Ditën e Policisë së Maqedonisë.

Ai ka hedhur poshtë pretendimet se po keqpërdoret policia.

“Nuk bëhet fjalë për asnjë keqpërdorim të forcave policore, por për një gjest të vogël për ti faleminderuar për angazhimin dhe sakrificën e tyre të përditshme..”, theksoi ndër të tjera ministri Çulev.

Nga ana tjetër zëvendësministrja teknike Petrovska, ka thënë se ajo distancohet dhe nuk merr pjesë në regjistrimin e spotit publicitar ndërkohë që policia duhet të jetë në krye të detyrës gjatë orës policore dhe jo të merret me spote pubilictare.

Nënkryetari i LSDM-së, Muhamet Zekiri ka publikuar një fotografi të defilimit të makinave të policisë, duke ironizuar se Naqe po rikthen shkëlqimin në MPB.