Tashmë disa ditë Maqedonia po përballet me realitetin e shpalljes së referendumit i cili duhet të mbahet me datë 30 shtator, në të cilin qytetarët e vendit por edhe ata shtetas që jetojnë dhe veprojnë në diasporë duhet të shprehen “PËR” ose “KUNDËR” në pyetjen: “A jeni për anëtarësim në BE dhe NATO, me pranimin e Marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë?”, shkruan e përditshmja në gjuhën maqedonase “NOVAMAKEDONIJA”.

Referendumi në kuvend u miratua me 69 vota PËR, kurse VMRO-DPMNE-ja opozitare nuk morri pjesë në procesin e votimit, me çka në mënyrë të qartë erdhi në pah ndarja e opinionit në vend rreth pranimit të marrëveshjes së arritur në Prespë.
Komisioni Shtetëror Zgjedhor në mbledhjen e saj të fundit temë të nxehtë diskutimi kishte çështjen se duhet ose jo diaspora e vendit të votojë në referendum!

“Votimi i diasporës në referendum zhvillohet sipas principit të njëjtë kur ka dhe zgjedhje. Nëse ka më shumë se 10 votues të paraqitur, atëherë organizohet votim në të gjitha përfaqësitë diplomatike-konsullore të Maqedonisë. Paraqitja e diasporës bëhet përmes plotësimit të një formulari për votim në referendum që duhet të dorëzohet në përfaqësitë diplomatike të vendit ose përmes rrugës elektronike në KSHZ. Paraqitja e mërgimtarëve që duan të votojnë në referendum do të zhvillohet nga data 9 deri më 23 gusht”, thonë nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor.

Ndërkohë lideri i BDI-së Ali Ahmeti në një deklaratë deklaroi se ai do të organizojë diasporën shqiptare që të vijë në Maqedoni dhe të votojë në referendum dhe me këtë të shpëtojë referendumin.

Por për dallim nga entuziazmi i kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti për një referendum të suksesshëm me ndihmën e diasporës shqiptare, pjesa më e madhe e diasporës maqedonase edhe përmes deklaratave por edhe përmes rrjeteve sociale thotë se do të bojkotojnë referendumin.