Dibër, teatri shqiptar i Shkupit fitues absolut i festivalit

Teatri Shqiptar i Shkupit, me shfaqjen “Gratë” është fituesi absolut i edicionit të 17-të të festivalit “Teatri shqiptar në Maqedoni”, që tradicionalisht mbahet në Dibër.
Kjo shfaqje, me të cilën mbrëmë u mbyll sipari i festivalit, ka marrë pesë çmimet kryesore.

Marketing

Ajo u shpall si shfaqja më e mirë, Qëndrim Rijani fitoi çmimin e regjisorit më të mirë, ndërsa çmimin “Aktorja më e mirë në rolin kryesor” e mori Vjollca Bekteshi Hamiti , ndërsa çmimi “Aktorja më e mirë në rol joprotagonist” iu dha aktores Teuta Ajdini Jegeni.

Aktores së njohur të këtij teatri, Teuta Ajdini-Jegeni , e cila me prejardhje është nga Dibra, i takoi edhe çmimi special që jepet për realizime të veçanta në fushën e artit teatral.

Teuta është vajza e të ndjerit, por gjithashtu aktorit të njohur Qemal Ajdini, një nga themeluesit e teatrit shqiptar në Shkup, i cili për fat të keq shumë shpejt u largua nga skena e teatrit.

Në shtatë ditët e kaluara të festivalit, para publikut të Dibrës u paraqitën teatro nga Tetova, Presheva, Gjirokastra, Gjilani dhe Shkupi.

Dibranët kishin mundësinë që në ditën e parë të festivalit, jashtë konkurrimit, ta ndjekin dramën koreografike “Nuni” në ekzekutimin e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” nga Prishtina”. Shfaqja i është kushtuar heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skenderbeut ndërsa është përgatitur me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së tij, që shënohet sivjet.

“Ju falënderoj për pjesëmarrjen e numërt në të gjitha shfaqet, duke treguar kështu edhe një herë se dibranët e dinë ç’është arti dhe të njëjtin e vlerësojnë në mënyrë dinjitoze. I falënderoj edhe pjesëmarrësit me shfaqjet e tyre të suksesshme. Shpresoj se deri vitin tjetër do të realizohet ëndrra jonë, që festivali të jetë institucionalizuar nga ana e Ministrisë së Kulturës së Republikës së Maqedonisë, me çka do të marrim edhe më shumë mjete, që nënkupton edhe një program më të pasur të festivalit”, tha midis të tjerave, drejtori i festivalit Ylber Nuredini duke e shpallur festivalin të mbyllur.

Ky manifestim edhe sivjet financiarisht është mbështetur nga Ministria e Kulturës së Maqedonisë, me 600 mijë denarë, si dhe nga sponsor të tjerë. Për herë të parë festivali sivjet nuk u mbështet nga pushteti lokal.

Marketing