Digjet flamuri i Bullgarisë! Reagon Zaharieva! Osmani dënon aktin

Bashkë me djegien tradicionale të maskave, në karnavalin e Vevçanit zjarri iu vu edhe flamurit të Bullgarisë.

Marketing

Policia thotë se e ka dokumentuar rastin ndërsa pas identifikimit të autorit, do të dorëzohet kallëzim.

Ky akt e ka acaruar Sofjen zyrtare. Kryediplomatja Ekaterina Zaharieva ka reaguar përmes Ambasadës në Shkup.

“I kërkova ambasadorit bullgar në Shkup që t’i shprehte Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, mospajtimin tonë të fuqishëm me këtë akt vandalizmi. Ambasadori Angellov tashmë i ka dërguar notë verbale të mprehtë Ministrisë së Punëve të Jashtme të RMV”, theksoi Ekaterina Zaharieva – Ministre e Punëve të Jashtme e Bullgarisë.

Maqedonia e Veriut, së cilës pikërisht nga Bullgaria ju pamundësua nisja e bisedimeve eurointegruese, e dënon djegien e flamurit të fqinjës bllokuese.

“Tradita shekullore nuk guxon të rrezikohet përmes aktiviteteve që nënçmojnë ose fyejnë popuj, shtete, në veçanti fqinjë tanë. E dënojmë djegien e flamurit të Republikës së Bullgarisë në Karnevalin e Vevçanit, akt që jo vetëm se e prishë renomenë e Karnevalit, por dëmton edhe imazhin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, potencoi Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut.

Ka reaguar edhe Presidenti Stevo Pendarovski.

“Djegia e flamurit të Republikës së Bullgarisë gjatë karnavalit në Vevçan është e papranueshme dhe për t’u dënuar. Mes fqinjëve është e nevojshme të ndërtohet besimi, mirëkuptimi dhe respekti”, u shpreh Stevo Pendarovski – President i Maqedonisë së Veriut.

Zjarrvënia e flamurit të Bullgarisë vjen në kohë kur aspak nuk duket dritë në fund të tunelit të bisedimeve mes Shkupit e Sofjes. Vendet kanë shkëmbyer dokumente për përmirësim dhe zgjidhje, por asgjë nuk tregohet se çfarë konkretisht përmbajnë këto tekste.

“Kemi dhënë si shtet me të vërtet dokument që dëshmojnë se dëshirojmë të jemi fqinj të mirë. Nëse interesi është identik edhe nga ana tjetër, përfitimi dhe privilegjet do t’i përdorin të dyja vendet. Ajo që ndodhi vitin e kaluar nuk ishte në frymën e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë”, deklaroi Radmilla Shekerinska – Minsitre e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut.

Retorika aktuale e zyrtarëve të vendit është se bllokada bullgare vjen si pasojë e fushatës parazgjedhore atje, por ditë më parë Ministrja e Jashtme e Bullgarisë tha se nuk duhet shpresuar se pas zgjedhjeve do të ndryshojë diçka. Kontesti mes dy vendeve është për çështje historike dhe gjuhësore.

Marketing