Digjet makina e një gjyqtari në Shkodër

Makina e gjyqtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër, Andri Ymeri është djegur nga dy persona të paidentifikuar.

Marketing

Ka qenë ora 23:48 e mbrëmjes së të dielës kur dy persona me skafandër në kokë dhe me një motor janë afruar tek mjeti tip benz i gjyqtarit Andri Ymeri duke e lyer me lëndë djegëse dhe duke i vënë flakën mjetit që ndodhej i parkuar afër kishës françeskane në Shkodër.

Menjëherë flaka është përhapur me shpejtësi duke shkrumbuar mjetin tip benz të gjyqtarit Ymeri dhe një tjetër ngjitur me të. Dy autorët pasi sigurohen në pak sekonda se mjeti mori flakë dhe po digjej janë larguar me shpejtësi.

Autorët në videon e siguruar nga policia prej bizneseve përreth shihen duke u afruar dhe duke e lyer mjetin me benzinë e më pas duke i vënë flakën.

Menjëherë pas zjarrit të përhapur me shpejtësi janë lajmëruar efektivët zjarrfikës të cilët kanë mbërritur në vendngjarje duke tentuar të shuajnë flakët. Të dy mjetet janë shkrumbuar plotësisht në të gjitha pjesët.

Pas verifikimit nga policia se djegia është e qëllimshme nga dy persona të paidentifikuar dhe se mjeti është i gjyqtarit Andri Ymeri në vendngjarje kanë mbërritur edhe forca të shumta policie por edhe vetë gjyqtari Andri Ymeri.

Policia ka nisur hetimet për këtë ngjarje të ndodhur për të identifikuar autorët e më pas për të bërë të mundur kapjen e tyre. Deri më tani efektivët nuk kanë arritur që të bien në gjurmët e autorëve të cilët janë larguar me shpejtësi por edhe është e vështirë për t’i identifikuar për shkak të skafandrës që kanë në kokë dhe veshjes me rroba të zeza.

Forcat e policisë dyshojnë se kjo ngjarje lidhet me punën e gjyqtarit. Vetë gjyqtari Ymeri ka mohuar që të ketë ndonjë konflikt me ndokënd dhe ka deklaruar se nuk e ka idenë përse makina e tij është djegur. Mjeti tip benz kishte disa ditë i parkuar afër kishës françeskane në Shkodër dhe dyshohet se autorët mund të kenë vëzhguar gjatë këtyre ditëve derisa kanë arritur ta djegin mjetin në fjalë./oranews/

Marketing