Dimitrov dhe Katrugallos biseduan për pasurimin e bashkëpunimit

Ministrat e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Jorgos Katrugallos realizuan takim në margjinat e Forumit ekonomik që mbahet në Delfi, Greqi dhe biseduan për pasurimin e bashkëpunimit të mëtejshëm, të paraparë me Marrëveshjen e Prespës, kumtojnë nga MPB-ja, ndërsa sipas agjencisë së lajmeve ANA-MPA, takimi bilateral, i cili zgjati mbi një orë, ka kaluar në atmosferë të mirë, njoftoi korrespodentja e MIA-s nga Athina.

Marketing

Dimitrov dhe Katrugallos, biseduan edhe mbrëmë, së bashku me ministrin rumun të deleguar për çështje evropiane, Xhorxhe Çiamba, dhe zëvendës ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Terens Kuik, në darkën punuese ku janë shqyrtuar çështje lidhur me perspektivën evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe rajonit, në prag të Këshillit të BE-së në qershor.

Me ftesë të themeluesit dhe kryetarit të Forumit ekonomik Delfi, e nën patronazhin e presidentit të Greqisë, Prokopis Pavlopulos, Dimitrov mori pjesë në forum, realizoi edhe takime tjera bilaterale, ndërsa mbajti fjalim edhe në ngjarjen qendrore, e cila këtë vit iu përkushtua “Sfidës së rritjes inkluzive”.

Në fjalimin e tij, Dimitrov tha se “mund të jemi krenarë në atë që e kemi arritur sot dhe bota të thotë se lajme të mira vijnë nga Ballkani dhe se nuk ka asgjë më natyrore se ajo që dy vendet tona të jenë miq, të jenë afër, ta hapin ardhmërinë”.

Dimitrov foli për ardhmërinë, por edhe për atë çka është bërë, për atë, siç tha “që e kemi arritur dhe pse e kemi zgjedhur rrugën më të vështirë, pasi rruga më e lehtë ishte që të mos preket asgjë”.

Duke u përqendruar në sfidat gjatë arritjes së Marrëveshjes së Prespës, ministri Dimitrov theksoi se ekziston perspektivë reale “që të gjithë së bashku në rajon ta arrijmë vizionin, i cili me ndihmën e Greqisë është vendosur para shumë viteve, në vitin 2003 në Selanik dhe u riafirmua vitin e kaluar në Sofje, në samit tjetër BE-Ballkani perëndimor”.

Nëse përqendrohemi në gjërat që kanë rëndësi, do ta mundësojmë këtë. I falënderohemi kryeministrit Cipras, i cili nuk duhej medoemos ta bëjë këtë. Dhe më kujtohet një deklaratë tjetër e njohur e burrështetasit të famshëm, Uinston Çerçill, i cili deklaroi – çmimi i madhështisë është përgjegjësia. Dhe mendoj se mënyra në të cilën veproni me fqinjët, posaçërisht me ata që nuk janë aq të mëdhenj sa ju, tregon se sa është i madh kombi i juaj. Dhe mendoj se atë që e keni bërë, e bën Greqinë vend edhe më të madh”, tha Dimitrov.

Në sesionin plenar, përveç ministrit të Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, fjalime mbajtën edhe shefi i Diplomacisë qipriote, Nikos Hristodulidis, zëvendës kryeministrja e Rumanisë, Ana Birçal, zëvendës kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq dhe kryeministri grek, Aleksis Cipras.

Gjatë ditës së djeshme, Nikolla Dimitrov, në kuadër të forumit ekonomik, u takua me zëvendës ndihmës sekretarin shtetëror të SHBA-së për Evropë, Methju Palmer dhe ambasadorin amerikan në Athinë, Xhefri Pajat, me ç’rast kanë biseduar për çështje rajonale dhe bashkëpunimin bilateral, si dhe për çështja aktuale dhe sfida në rajon, ndërsa realizoi takim edhe me liderin e Partisë greke Potami, Starvos Teodorakis.

“Nëse do të kishim më shumë politikanë të cilët mendojnë për gjeneratat e ardhshme, e më pak për zgjedhjet e ardhshme, bota do të ishte vend shumë më i mirë”, shkroi shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov në Tuiterin e tij zyrtar pas takimit me liderin e partisë greke Potami, Stavros Teodorakis.

“Në Delfi kam pasur takim me Nikolla Dimitrovin. Së bashku e bëmë hapin e parë, i thashë, por duhet të bëhet edhe shumë edhe nga ana e juaj që më të mos ekzistojë dyshim në marrëdhëniet tona. Ndjeva sikur më kupton”, shkroi Teodorakis në profilin e tij zyrtar në Tuiter.

Nga partia Potami kumtojnë se takimi në margjinat e Forumit ekonomik në Delfi ka qenë me iniciativë të Dimitrovit, i cili, siç i ka thënë Teodorakisit, ka dashur ta njoftojë njeriun, i cili edhe pse ka shumë pozita të ndryshme me Qeverinë e SYRIZA-s, pati guxim ta mbështesë Marrëveshjen e Prespës.

Shefi i Diplomacisë së Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov është përfaqësuesi i parë i nivelit të lartë nga vendi ynë, i cili merr pjesë në forum, që këtë vit mbahet për herë të katërt, ndërsa qëllimi i të cilit është që përmes bashkimit të liderëve botërorë, ta thellojë mirëkuptimin për çështjet dhe sfidat që ndikojnë në bashkësinë globale, Bashkimin Evropian, rajonin më të gjerë mesdhetar, si dhe në Evropën Juglindore.

Forumi ekonomik përfundon nesër, ndërsa në të marrin pjesë përfaqësues të mbi 24 vendeve, rreth 500 folës nga tërë bota në 95 pjesë tematike.