Dimitrov: Para nesh kemi një shans historik që kërkon përgjegjësi historike

Ministri i jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov në një intervistë për Alsat ka theksuar se vendi ka përpara një shans historik, dhe se për çështje historike nevojitet edhe përgjegjësi historike. Sipas tij referendumi nuk ka lidhje me partitë politike e as me qeverinë, sepse ato ndryshojnë, por është vendimtarë për të ardhmen e vendit.

Marketing

Z. ministër sa ka kapacitet Maqedonia që t’i përmbush të gjitha kushtet e nevojshme për anëtarësim në NATO, të cilat ishin të theksuara edhe në dokumentin e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të NATOs, Jens Stoltenberg?

Negociatat për anëtarësim, pas ftesës që u kthye në Samitin e NATO-s në Bruksel, praktikisht me delegacionin e lartë që qëndroi në Shkup gjatë korrik, veçmë kanë filluar. Ditët në vijim, me gjasë këtë muaj, do ta riaktivizojmë Komitetin për Integrim të Republikës së Maqedonisë në NATO, me të cilën do të udhëheqë ryeministri, Zoran Zaev. Unë dhe Ministrja e Mbrojtjes, jemi bashkudhëheqës të Grupit të punës për integrimin e Republikës së Maqedonisë në NATO.

Ajo strukturë në mënyrë të shpejtuar do të punojë në reformat dhe një Plani të shkurtuar për anëtarësim, një program ky që do të fokusohet në sferat kryesore në kontekst të pranimit të obligimeve nga marrëveshja bazë, sa i përket: Sundimi i së drejtës, mbrojtjes, kundërzbulimit, Marrëveshjes Kornizë… Dhe jam i bindur se do të kemi sukses ta përfundojmë punën, dhe diku në fillim të vitit të ardhshëm t’i nënshkruajmë protokollet për anëtarësim.

Kushti kryesor për anëtarësimin e vendit në NATO, gjithsesi mbetet Marrëveshja për emrin e arritur me Greqinë. Po çfarë nëse e njëjta dështon? Pra çfarë nëse nuk ka sukses referendumi dhe nëse nuk arrijmë t’i bëjmë ndryshimet kushtetuese?

Mendoj se besimi në sukses është mbase gjysma e punës së kryer me sukses. Ne kemi një mundësi historike, kemi një udhëkryq historik. Do të shkojmë përpara ose do të kthehemi pas drejt izolimit. Në bazë të traditës tonë të udhëkryqeve të dendura, kemi prirje ta zgjedhim rrugën e drejtë. Mendoj se do të kemi referendum të suksesshëm dhe proces kushtetues të kryer me sukses. Dhe pas kësaj i gjithë procesi do të shkojë në Athinë në kontekst të ratifikimit të Marrëveshjes dhe protokolleve për anëtarësim në NATO, në Kuvendin në Athinë.

A mendoni se kanë kapacitet të mjaftueshëm përfaqësitë diplomatiko-konsullore të Maqedonisë në botë, që ta realizojnë më sukses referendumin në diasporë?

Diplomatët tanë kanë përvojë me votimin jashtë, sepse kishim zgjedhje ku diaspora mund të votonte. Dhe njëkohësisht Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve gjithashtu ka kompetenca në kontekst të njerëzve që do ta mbajnë dhe do të marrin pjesë në këtë proces për mbajtjen e referendumit, edhe jashtë. Kështu që mendoj se nuk duhet të kemi shqetësime të mëdha se ky proces atje ku ka mjaftueshëm të paraqitur do të mbahet ashtu siç është planifikuar.

Z. Dimitrov arritët marrëveshje me Greqinë, por jo edhe gjuhë të përbashkët me opozitën. Si do ta bindni opozitën se jeni në rrugën e drejtë?

Mendoj se është interesante vërejtja juaj në pyetje për nevojën e diplomacisë së brendshme tek ne. Do të kemi sukses nëse të gjithë mendojmë për shtetin, sepse Qeveritë ndryshojnë, partitë politike në pushtet dhe opozitë ndryshojnë. Referendumi nuk ka lidhje as me këtë Qeveri, as me partitë politike, por ka lidhje me të ardhmen e shtetit.

Sa më shumë mendojmë për të ardhmen e shtetit, aq më shumë mundësi do të kemi të gjejmë gjuhë të përbashkët me opozitën. Sa më shumë të mendojmë për karrierat tona politike, aq më pak do të kemi mundësi. Por mendoj se shansi historik kërkon përgjegjësi historike ndaj kësaj çështjeje. Nëse jemi të sinqertë, nëse jemi të përgjegjshëm do të gjejmë gjuhë të përbashkët.

Duket se në Greqi ka përfunduar euforia e opozitës kundër marrëveshjes për emrin. Çfarë strategjie ka përdorur Qeveria greke për pajtim dhe a është e njëjta e mundur edhe tek ne?
Atje është qetësuar disi opinioni sa i përket kësaj çështjeje, sepse topi nuk është tek ta. Marrëveshja u nënshkrua, kishte sfidë në Kuvendin grek, kishte votim besimi për Qeverinë në bazë të kësaj çështjeje.

Kjo përfundoi. Tek ne është tani topi, edhe në kontekst të ratifikimit, referendumit, procesit kushtetues. Sapo kjo të përfundojë, me gjasë sapo të kthehet procesi në Athinë në aspekt të ratifikimit të tyre, supozoj se do të riaktualizohet debati politik atje. Përndryshe atje ka dallime mes Qeverisë dhe opozitës.

Lideri i opozitës, Micotakis e akuzon Qeverinë pse pranoi që gjuha maqedonase të jetë maqedonase, populli maqedonas të jetë maqedonas. Diçka që nuk mund të kundërshtohet në shekullin XXI, sepse është e drejtë e vetë-përcaktimit, vetë-identifikimit.