Dimitrov për “Le Mond”: Maqedonia po lëvizë drejt së ardhmes

Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, në tribunë të publikuar në gazetën parisiene “Le mond” sqaron përse vendi ynë u dakordua ta ndryshojë emrin e vet.

Marketing

Tani, ai i bën thirrje BE-së të negociojë për inkuadrimin e këtij “shteti të vogël të qetë të Ballkanit”, lajmëroi korrespondenti i MIA-s.

“Vendosëm të mos jemi rob i historisë. Në pajtim me Greqinë, shteti im u dakordua të shtojë sqarim gjeografik në emrin e vet dhe të quhet ‘Republika e Maqedonisë së Veriut’”, shkruan Dimitrov.

Të jemi të qartë deri në fund, shton, ne asnjëherë nuk kemi menduar se Republika e Maqedonisë, shtet i vogël, i qetë ballkanik, e cila doli në mënyrë të qetë dhe dinjitoze nga ferri i luftës në ish-Jugosllavi, mund të paraqesë kërcënim për dikë apo se emri i saj nënkupton kërkesa territoriale apo të tjera ndaj miqve tanë grekë.

“Megjithatë, realiteti na tregon se Greqia e interpreton ndryshe emrin tonë. Kaluam debate 25-vjeçare, duke tentuar ta bindim palën tjetër, të diskutojmë për termin ‘Maqedoni’. Ndërkohë, trenat kalojnë. Nga një nxënëse e mirë e Ballkanit, Maqedonia mbeti në margjina të proceseve integrative”, sqaron shefi i diplomacisë.

Sipas tij, dalja e vetme nga ky rreth vicioz, thotë, është definitivisht dhe pakthyeshëm të kthehemi drejt së ardhmes.

“Beteja e vetme që duhet të zhvillohet është për gjeneratat e tanishme dhe të ardhshme. E drejta e tyre për të jetuar në vendin e vet, me mundësi të barabarta me evropianët e tjerë, pa u dashur të shkojnë për ta kërkuar fatin diku tjetër. Ky është mendimi i vetëm që e patëm në mendje kur vendosëm të hyjmë në negociata me Greqinë për ta zgjidhur kontestin tonë”, është kategorik Dimitrov.

Ai pranoi se nuk ka qenë lehtë, as për ne, as për miqtë tanë grekë. Rreziku të cilit iu ekspozuan liderët politik, sipas Dimitrovit, nuk është asgjë, siç thotë, në krahasim me greminën e dëshpërimit në të cilën ndodhet i tërë kombi.

Në pyetjen nëse patëm zgjidhje tjetër, ai u përgjigj se çdoherë ekziston zgjidhje tjetër.

“Mund të kapërcejmë një apo më tepër cikle zgjedhore dhe ta humbim trenin, e madje edhe trenin e fundit, për Evropën dhe të vazhdojmë të ankohemi dhe t’i akuzojmë fqinjët tanë për fatin tonë të keq, ta akuzojmë Evropën për mungesë parimesh, të akuzojmë për mosinteresimin e botës. Ne, pa rrezik, do të mund të mbetemi në maje të drurit dhe të ushqehemi me fruta të hidhur nga frika dhe mosbesimi, do të mund të ishim të kënaqur me kuazi-patriotizmin tradicional”, thotë Dimitrov.

Më tutje ai thekson se ne jemi të vendosur të jemi patriotë në mënyrë bashkëkohore, evropiane dhe vizionare.

“Ta ruajmë shpirtin tonë, aq ngushtë të lidhur me të drejtën tonë të definohemi si maqedonas, e drejtë e konstatuar me këtë marrëveshje. Shpirti ynë është definuar edhe nga gjuha jonë, gjuhë maqedonase, sllavojugore. Të mos i sakrifikojmë këto gjëra në altarin e historisë”, thotë ministri i Jashtëm Dimitrov.

Sipas tij, marrëveshja me Greqinë edhe pse kërkon shumë, megjithatë me të mund të jetojmë me dinjitet.

E fundit, por jo me më pak rëndësi, sipas Dimitrovit, është ajo që me të e hapim rrugën për integrim të plotë të vendit në BE dhe në NATO.

Ai me atë rasti, tribunën e tij në “Mond”-in parisien e përfundon me konkludimin se BE-ja është ajo e cila tani është në hap për ta treguar guximin e njejtë.

Marketing