Dimitrov: Realizuam idenë për atdhe më të sigurt dhe më prosperues

Ky është moment historik i cili u takon të gjithë qytetarëve të vendit tonë dhe të plejadës së politikanëve dhe vizionarëve, të cilët me mund të madh gjatë tre dekadave të fundit punuan për t’u realizuar ideja për atdhe më të sigurt dhe më prosperues, deklaroi sot pasdite ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, pasi që Ambasada ynë në Uashington në Departamentin amerikan të Shtetit e deponoi instrumentin për inkuadrim drejt NATO-s, me çka prej sot Maqedonia e Veriut edhe zyrtarisht u bë anëtarja e 30-të e Aleancës.

Marketing

“Dëshiroj të shpreh mirënjohje dhe falënderim për të gjithë Ju, për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe Ua uroj këtë sukses të madh”, theksoi Dimitrov në prani të ambasadores amerikane në vend, Kejti Meri Bërnz, të cilët paraprakisht patën video bisedë me ushtruesin e detyrës ndihmës sekretar shtetëror i SHBA-së për Evropë dhe Euroazi, ambasadorin Filip Riker.

Dimitrov deklaroi se me këtë përfunduan 27 vite të rrugës sonë drejt anëtarësimit të barabartë në NATO, që filloi në vitin 1993.

“Anëtarësimi i vendit tonë në NATO po ndodhë në rrethana të jashtëzakonshme kur bota dhe njerëzimi po përballen me sfidën ndoshta më të madhe globale pas Luftës së Dytë Botërore. Për shkak të këtyre situatave, akti i shënimit të ngjarjes së sotme është modest, por kjo në asnjë mënyrë nuk e pakëson rëndësinë historike të këtij suksesi”, shtoi Dimitrov.

Ai paralajmëroi se të hënën do të mbahet ceremonia e ngritjes së flamurit të RMV-së para selisë së NATO-s në Bruksel dhe në Komandën e forcave aleate në shtetin federal amerikan Virxhinia, pas çka më 2 prill do të jetë përfaqësuesi i parë i shtetit tonë në një takim ministror të NATO-s, që do të mbahet përmes lidhjes video konferenciale.

“Prej sot SHBA-ja edhe formalisht është aleatja ynë me 28 vendet e tjera anëtare (të NATO-s) dhe asnjëherë tashmë nuk do të jemi vetëm”, potencoi ministri i Punëve të Jashtme.

Dimitrov foli edhe për problemin me koronavirusin, për të cilin tha se nuk ka përkatësi nacionale dhe prandaj nevojitet bashkëpunim dhe solidaritet mes shteteve në përballjen me të.

Bërnz nga ana e vet tha se këto janë momente historike për vendin, sepse u bë anëtare e NATO-s dhe mori vendim për fillim të negociatave me BE-në.

“Jam shumë e lumtur që në emër të SHBA-së mund t’Ju dëshiroj mirëseardhje si anëtarja e 30-të e NATO-s”, theksoi Bërns, duke shprehur me atë rast edhe mirënjohje për vendin, për sukseset e arritura dhe duke cekur se SHBA-ja do të vazhdojë me mbështetjen e vendit tonë.

Marketing