Në një letër dërguar deri te personeli i tij më 27 korrik, Komisioni Evropian për Punë të Jashtme (EEAC) i informon të punësuarit me shtetësi britanike, të cilët punojnë në zyrat diplomatike të BE-së nëpër botë, se duhet të kthehen deri në shtator të vitit 2019.

Siç lajmëron korrespondentja e MIA-s nga Brukseli, ambasadorët dhe diplomatët e lartë do të duhet të tërhiqen deri në fund të marsit të vitit 2019, përderisa eshalonët më të ulët kanë afat që deri në shtator të kthehen në Bruksel, kur rinovohen mandatet e EEAC.

Megjithatë, shumica e diplomatëve britanikë në BE do t’i mbajnë vendet e punës, saktësohet në letër, falë përjashtimeve të parapara në rregulloren e institucioneve të BE-së.

Ata të cilët nuk janë të punësuar dhe janë me marrëveshje të përkohshme, e kanë vetëm shtetësi britanike do të largohen, si dhe ata për të cilët do të konfirmohet konflikti i interesave, theksohet në letër. Më tutje nuk do të punësohen britanikë në zyrat diplomatike të BE-së.

Bisedimet për Bregzitin janë në qorr-sokak tani shumë muaj, pasi dy palët hynë në thelbin e bisedimeve dhe gjithnjë e më sigurtë bëhet se nuk është përjashtuar mundësia që të mos arrihet marrëveshje, e cila do t’i konfirmojë modalitetet e braktisjes së Britanisë së Madhe nga BE-ja.

Në këtë rast, gjegjësisht gjatë Bregzitit pa marrëveshje, BE-ja dhe Londra, paralajmëruan se po përgatiten për skenarët më kaotikë, përfshirë edhe shitoret e zbrazëta, kolonat me kilometra në vendkalimet kufitare dhe pasiguri juridike për qytetarët e BE-së të cilët jetojnë në Britaninë e Madhe.

Britania e Madhe duhet ta lëshojë BE-në më 30 mars të vitit 2019. Përderisa deri atëherë Brukseli dhe Londra nuk arrijnë marrëveshje, nuk do të ketë periudhë transitore për Britaninë e Madhe.

Kjo nënkupton se nuk do të zgjidhen çështjet kyçe: kufiri me Irlandën Veriore, dhe nga atje mbrojtja e tregut të brendshëm të BE-së, mbrojtja juridike e qytetarëve të BE-së në Britaninë e Madhe, gjegjësisht a do të vlejnë për ta ende vendimet e Gjykatës Evropiane të drejtësisë, dhe për fund është e paqartë se si do të jenë marrëdhëniet tregtare ndërmjet BE-së dhe Britanisë së Madhe.