402 të rinj i janë bashkuar Policisë së Shtetit. Në ceremoninë e diplomimit të zhvilluar ditën e sotme, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj u shpreh se ky është një tregues i rritjes së profesionalizmit të uniformave blu, ndonëse shtoi se përveç kësaj kërkohet edhe trimëri dhe nder.
“402 djem e vajza i bashkohen radhëve të policisë së shtetit duke siguruar janë moment ripërtëritje. 158 të tjerë përfundojnë studimet e larta dhe bëhen pjesë e trupës drejtuese. Nga ana tjetër, 36 që i kanë përfunduar më parë përfundojnë kursin dhe i bashkohen strukturave të hetimit.

Kjo trupë shënon një hap tjetër të rëndësishëm për të përmirësuar nivelin profesional të policisë së shtetit. Policia jonë është ndër më të voglat në numër në rajon, duhet të rritet edhe në sasi edhe në cilësi dhe modernizohet dhe programi i qeverisë parashikon progres. Përveç profesionalizmit, kërkohet edhe trimëri, nder si dhe moral i lartë. Do të hapim programe të reja për 600 të rinj për Akademinë e Policisë”, u shpreh Lleshaj.

Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Prania e forcave të shumta të policisë që mbrëmjen e djeshme për organizimin ceremonisë, shkaktoi panik tek Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, të cilët hynë në ambientet e brendshme, pasi menduan se kjo ceremoni do të përdorej për të nisur shembjen e godinës, megjithatë ajo përfundoi pa asnjë incident.