Disa shkolla në Kosovë vazhdojnë mësimin, Ministria thotë se iu binden institucioneve të Serbisë

Në Graçanicë nxënësit po e vijojnë mësimin, ndonëse me vendim të qeverisë kjo javë është pushim.

Në gjithë Kosovën shkollat janë në pushim.

Marketing

Por në komunën me shumicë serbe këtu në Graçanicë oborri i kësaj shkolle këtë të mërkurë ishte plot me nxënës.

Ani pse pushimi nëpër institucionet arsimore do të zgjasë deri javën tjetër, këtu po punohet.

Ata kanë ardhur për të mbajtur një test i cili realizohet për vlerësimin e nxënësve.

Ndërsa të nesërmen do të vazhdojnë mësimin në mënyrë virtuale.

Kësisoj të shumtë janë nxënësit edhe brenda objektit të shkollës të cilët janë duke pritur për t’u vlerësuar.

Nga udhëheqës të shkollës kanë thënë për televizionin, që nxënësit janë duke ndjekur mësimin online.

Për dallim nga kjo shkollë fillore, shkolla tjetër e mesme në këtë komunë, është e zbrazët.

Megjithatë as aty nxënësit nuk janë në pushim.

Ndërkohë, në një shkollë tjetër këtu në komunën e Graçanicës asnjë nxënës nuk gjendet në objektin shkollor për shkak që siç kanë thënë punëtorët teknik, ata janë duke mbajtur mësimin online.

Shkollat nëpër komunat me shumicë serbe, mbajnë mësim në bazë të vendimit të qeverisë së Serbisë.

Mësimi atje është duke u mbajtur.

E me gjithë përpjekjet e t7, nga komuna e Graçanicës kanë refuzuar të flasin për mënyrën se si po organizojnë mësimin.

Ndërsa sekretari i Ministrisë së Arsimit, Agim Bërdyna ka thënë që nuk mund të sigurojnë informacione nga Drejtoritë e Arsimit nëpër komunat me shumicë serbe, për shkak se të njëjtit iu binden institucioneve të Serbisë.

Përmes një postimi në Facebook, rikujtuan që mësimi do të fillojë më 12 prill.

Niveli zero (çerdhet dhe kopshtet), klasa përgatitore që mbajnë mësim në shkolla fillore, si dhe klasat 1 deri 5 do të mbajnë mësim në mënyrë fizike.

Ndërsa nga klasa e gjashtë deri në klasën e dymbëdhjetë pritet të organizojnë mësimin online.