Diskutohet hapja e kufijve, Hasani: Së shpejti kafe në Prishtinë pa test PCR

Shumë shpejt, kafe në Prishtinë!

Marketing

#paPCRtest

Ky ishte statusi i sotëm në Facebook i zv.ministrit për Shëndetësi, Ilir Hasani, por në intervistë para TV21 nuk dha datë konkrete se kur do të ndodhë kjo gjë. Tha se Komisioni për Sëmundje Infektive ka diskutuar për përshpejtim të procedurave për heqjen e PCR testit me vendet e rajonit, por sipas Hasanit, ende nuk ka mendimin definitiv.

“Nuk është e saktë se Komisioni ka dhënë mendimin definitiv që të hiqen testet por është diskutuar që testimi në bazë të të gjitha parametrave epidemiologjik dhe në bazë të të gjitha parametrave të tjerë socio-ekonomik është diskutuar që do të duhet që të rishqyrtohet në mënyrë shumë serioze heqja e testit PCR për kalimin me vendet e rajonit”, theksoi Ilir Hasani – zv/ministër i Shëndetësisë.

Hasani bind se si ministri po bëjnë maksimumin për hapjen e kufijve pa kufizime edhe atë për tre arsye, si ato ekonomike, sociale dhe sepse gjendja epidemiologjike tek fqinjët tanë është e njëjtë edhe me gjendjen tonë.

“Parametrat epidemiologjike tregojnë se nuk kemi dallime të mëdha me Kosovën dhe shtetet fqinjë në lidhje me numrat dhe të gjitha këto gjëra na obligojnë moralisht dhe në cilësinë e funksionit që kam si zv/ministër që t’i jap prioritet kësaj çështje dhe këtë çështje do e vendos në pah këtë javë, ditëve të ardhshme”, u shpreh Ilir Hasani – zv/ministër i Shëndetësisë.

Edhe Aleksandër Stojanov anëtarë i Komisioni për Sëmundje Infektive tha se është për hapjen e kufijve por që qytetarët e gjithë vendeve të rajonit të respektojnë masat anticovid.

“Të gjithë menduam se nëse i mbyllim kufijtë do të kalojmë ma lehtë dhe doli se nuk është pikërisht ashtu. U fol sot në Komisionin për Sëmundje Infketive, do të flitet edhe në Shtabin e krizës dhe në fund do të vendos Qeveria. Përndryshe tani kemi një procedurë ku ministrat e shëndetësisë po dakordohen t’i heqin PCR testet dhe të unifikojnë masat për mbrojtje”, deklaroi Aleksandër Stojanov – Drejtor i Qendrës për Shëndet Publik.

Ndërkohë sipas zv.ministrit Hasani muajve në vijim nuk pritet që të vendoset karantinë pasi sistemi shëndetësor është stabil dhe është i gatshëm të përballoj numër më të madh të të infektuarve.