Dita Starova Qerimi: A do të mbajmë këtë stres të Covid-it privatisht apo do të krijojmë nga ai ndonjë vepër arti

Drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Arteve, Starova Qerimi rreth stuatës së krijuar me virusin korona pyet : Vallë, a do ta mbajmë këtë stres të Covid-it privatisht apo do të krijojmë nga ai një vepër të madhe universale të frikës dhe dhimbjes?
Çdo takim me Dita Starova Qerimin, drejtoreshën e Galerisë kombëtare, është një takim frymëzues. Piktore me profesion, sharmante dhe e këndshme në natyrë, ajo është një bashkëbiseduese e mrekullueshme mbi çështje shumë aktuale të jetës sonë të përditshme dhe kreative, që tani më shumë se kurrë më parë janë shumë të theksuara.

Marketing

* Po lëmë pas, ngadalë dhe gradualisht, më shumë se dy muaj letargjie nga koronavirusi. Si ndjeheni për këtë jetë që duket sikur është vënë në pauzë?
– Unë vazhdoj sa më mirë që të jetë e mundur dhe sa më shumë që të jetë e mundur në përpjekje për të ruajtur vazhdimësinë e punës së filluar dhe aktuale, e vetëdijshme për kufizimet që vlejnë për të gjithë. Arti për nga natyra rrezaton me kuptimet e tij estetike dhe etike në çdo kohë. Kjo është arsyeja pse ne përpiqemi të respektojmë imperativat e këtij procesi, duke paraqitur pasurinë tonë kombëtare përmes urave dixhitale që kemi në dispozicion.
Në fushën e karrierës sime së pikturës profesionale, merrem me një ekspozitë që është vazhdim i prezantimeve të mia të mëparshme. Edhe pse shumica e dyqaneve të pikturave u mbyllën gjatë kësaj periudhe, në art nuk ekziston “koha e humbur”. Siç shprehet dhe Marcel Proust, arti është, në të vërtetë, një kohë e zbuluar.

* A ju ndihmon arti për të “dalë” nga izolimi që na është imponuar nga pandemia?
-Çdo krizë krijon ndryshime reale dhe aktivitetet tona në masë të madhe varen nga idetë dhe qëndrimi që ne adoptojmë përballë situatës së re. Tani jemi duke kaluar një krizë globale për shkak të përhapjes së virusit të koronës. Në rrethana të tilla, aftësia për të zhvilluar aftësi personale të rezistencës lind nga një inteligjencë e caktuar dhe, mbi të gjitha, nga aftësia për të drejtuar mendimet drejt pozitivitetit dhe jo nga zhytja në një gjendje shkatërruese dhe nihiliste. Thënë ndryshe, rezistenca është një qëndrim që na lejon të kapërcejmë vështirësitë tona dhe t’i shndërrojmë ato në një mundësi reale për të vazhduar në hapësirat e pakufishme të krijimtarisë. Kjo përfshin edhe shqyrtimin e mendimeve dhe gjendjes sonë të brendshme, në mënyrë që të përdorim krijimtarinë dhe fuqinë personale për të vazhduar përpara pavarësisht vështirësive. Është pikërisht rezistenca ajo e cila e materializon aftësinë tonë për të rifituar forcën mendore pas një momenti të vështirë. Nuk duhet harruar, për më tepër, që raca njerëzore nuk mund të mbijetojë, të zhvillohet dhe të dominojë këtë planet, përveçse nëpërmjet solidaritetit absolut dhe në mbrojtje të jetës. Veç kësaj, mësimet që marrim nga natyra na tregojnë se kafshët dhe bimët pësojnë ndryshime graduale ose rrënjësore në ciklin e tyre të jetës, ndonjëherë si pjesë e mirëqenies së tyre natyrore. Sipas mendimit tim, rezistenca është më thelbësore sot se kurrë më parë, sepse po kalojmë kohë të vështira. Prandaj ajo duhet të jetë përgjigja kryesore ndaj frikës që paralizon të menduarit dhe të vepruarit. Për të arritur rezultatet e dëshiruara është e rëndësishme të pranojmë realitetin e ndryshimit, të orientohemi në mënyrë objektive dhe, mbi të gjitha, të përqendrohemi në ato që mund të bëhen për t’u rikthyer në gjendjen e mëparshme normale. Është e qartë se ne nuk mund t’u shpëtojmë krizave të tilla si vdekja, tragjedia, humbja e vendit të punës ose problemeve financiare, por mund të zgjedhim qëndrimin tonë dhe mënyrën tonë të reagimit.

Stephen Hawking, një nga mendjet më të mëdha të kohës sonë, nuk e la që sfidat e jetës ta ndalonin. Ai vazhdoi të studiojë dhe fitoi 12 diploma nderi. Në një rast ai shprehet: “Mos harroni të shikoni lart drejt yjeve, jo poshtë drejt këmbëve tuaja.” Asnjëherë mos hiqni dorë nga puna. Ajo ju jep kuptim dhe qëllim në jetë dhe jeta është e zbrazët pa të. Nëse keni mjaft fat për të gjetur dashuri, mbani mend se është atje dhe mos e merrni si të mirëqenë. ”
* Galeria ishte një nga institucionet e pakta që vazhdimisht organizonin nisma të ndryshme gjatë kësaj pauze aktivitetesh në shoqëri. Vizatimet e fëmijëve, ditaret e artit. Vallë, a bën Galeria ndonjë dokumentacion të sajin, ndonjë dëshmi për këtë kohë?
-Sa më e vështirë të jetë situata, aq më shumë njerëzimi ka nevojë për rehati kulturore. Jemi ballafaquar me shumë pyetje, teorike dhe praktike. Ne nuk mund ta injorojmë këtë kontekst.
Në rrugë, heshtje mahnitëse. Në kanavacë, një atmosferë e zhurmshme. Në këto kohë mbylljeje, kontrasti midis dy sferave arrin kulmin e tij. Ndërkohë që hapësira publike është e shkretuar, rrjetet sociale janë të përplot me përmbajtje: video, komente, forume, ekspozita, koncerte live, etj., duke qarkulluar me shpejtësi marramendëse. Pavarësisht nëse jeni vetëm ose në grup, me ose pa nevoja themelore (ushqim të mjaftueshëm, çati mbi kokën tuaj, etj.), njerëzit kanë nevojë për kulturë për të ruajtur njerëzinë e tyre.

Sipas OBSH-së, do të duhet të jetojmë nën masa speciale mbrojtëse për një kohë të gjatë, pa vaksina dhe ilaçe. Do të duhet të gjenden mënyra të tjera të komunikimit midis artistëve dhe publikut jashtë komunikimit të zakonshëm dhe tradicional dhe ritualit të hapjes së një ekspozite me një numër të madh vizitorësh. Avantazh i madh tani po i jepet dixhitalizimit, ekspozimit përmes mediave elektronike. Kjo është një krizë e madhe për kulturën, sepse institucionet kulturore ishin ndër të parat që mbyllën dyert e tyre. Kjo është arsyeja pse ne vazhdojmë të përdorim mediat sociale për të kompensuar atë që kemi humbur pas ndërprerjes së ngjarjeve publike. Megjithatë, mundësia dixhitale nuk është një zëvendësues për gjithçka.
Kjo është arsyeja pse lindi nevoja për projektin “Ditarët e Arteve”, për të pyetur artistët se si funksionojnë dhe si i ndikon ata kjo kohë krize dhe ekspozimi dixhital. Mendimet e mia u drejtohen të gjithë artistëve që kanë investuar plotësisht, si shpirtërisht ashtu edhe materialisht në artin e tyre, duke organizuar ekspozita dhe prodhuar vepra dhe që tani janë në një pozicion delikat financiar për shkak të pezullimit të të gjitha ngjarjeve dhe pamundësisë së finalizimit të projekteve në vazhdimta, në mënyrë që të gjejmë mënyrën e duhur për t’i ndihmuar ata në emër të artit dhe kulturës, por edhe në emër të njerëzimit.

* Shumë muze botërorë kanë ndërmarrë një veprim ambicioz për të dokumentuar pandeminë, e cila në shumë baza është dhe do të jetë një pikë kthese në jetën tonë. Mos ndoshta me anë të kësaj muzetë dhe galeritë po ripërcaktojnë rolin e tyre jo vetëm si hapësira ekspozite?
-Kovid-19 ndryshoi jetën tonë të përditshme në shumë mënyra dhe riformatoi sjelljen tonë, komunitetet dhe shoqërinë për gjeneratat e ardhshme. Ne në Galeri po punojmë për të dokumentuar të gjitha këto ndryshime. Nëse vizitorët nuk mund të vijnë në muze, misioni i muzeut është të hyjë në shtëpitë e vizitorëve. Kjo periudhë na detyron të shpikim formula të tjera, gjë që është shumë e mirë. Por për mendimin tim, kjo nuk mund të zëvendësojë një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me veprat e artit, një vizitë të vërtetë në një ekspozitë, një dialog të drejtpërdrejtë me artistët. Jam e sigurt se pas kësaj periudhe të gjithë do të nxitojmë në hapësirat kulturore, duke përtërirë zakonet tona të vjetra.

Është e vështirë të parashikosh një moment që askush nuk e ka pritur, por unë shpresoj thellësisht për ndryshime thelbësore në stilin e jetesës sonë në dhe mendimet tona, shpresoj se nuk do të “prodhojmë tepërsisht”, se do të kemi më shumë respekt për mjedisin dhe se do të largojmë ndjenjën e konkurrencës së vazhdueshme, që të lëmë vend për një bashkëpunim të vazhdueshëm për të mirën e përbashkët. Vendi i artit në shoqëritë tona gjithashtu duhet rishqyrtuar. Në disa kultura, arti është pjesë e jetës së përditshme. Ka njerëz që shpesh thonë se arti është po aq i rëndësishëm për ta, sa ushqimi. Ne duhet të ndalojmë së trajtuari artin si argëtim, duhet t’i japim atij një rol të denjë në jetë, në mirëqenien e njerëzve dhe në jetën ekonomike të vendit.
* Si do të ndikojnë në punën e Galerisë dhe prezantimin e artit rregullat e ardhshme të jetës, të cilat përfshijnë një trini të re të shenjtë (maska mbrojtëse, distancë fizike dhe larje duarsh)?
– Shprehia e maskave dhe rregullave është e re për të gjithë, dhe na shqetëson veçanërisht edhe ne. Si do të mbahet një ekspozitë nëse kërkohet një distancë e caktuar, si do të vlerësojmë se një ekspozitë është e suksesshme nëse duhet të kufizojmë hapjet me një numër të caktuar vizitorësh? Ceremonia e hapjes është një lloj rituali në konceptin e tërë prezantimit.
Në fakt, unë mendoj se arti i gjallë në këtë krizë do të na bëjë të gjejmë mënyrat e duhura dhe të vërteta për konsumatorin, të cilit i është drejtuar fillimisht. Shpresoj gjithashtu që kur dyert për të vizituar të jenë përfundimisht të hapura, do të kemi përsëri vizitorë të shumtë që ndjekin rregullisht ngjarjet nga shtëpia.
Për të gjitha këto konsiderata ne jemi në përpunim intensiv të një protokolli të posaçëm për lëvizjen dhe organizimin e ngjarjeve në ambientet e Galerisë.
* A mundet që koha e distancës fizike të na kthejë me shumë nga shoqëria dhe të na bëjë më empatikë ndaj të tjerëve?
-Do të jetë interesante të shihet se si do të kujtohen ditët e virusit të koronës nga artistët dhe autorët. Prania e mediave sociale dhe disponueshmëria relativisht më e gjerë e disa mediave, përfshirë kamerat dhe videot, siguron një thesar të vërtetë të produkteve vizuale për brezat e ardhshëm. Shumica e këtyre materialeve përfshijnë fotografi të qendrave të boshatisura dhe shesheve në qytetet tona, skena apokaliptike të rrugëve të shkreta, linja të gjata njerëzish në maska dhe “distanca sociale” nga njëri-tjetri para një dyqani ushqimor, fotografi të spitaleve të përmbytura me njerëz të pafuqishëm dhe imazhe të tmerrshme të trupave në thasë, shtretër dhe arkivole. Ato janë aq të pranishme në media sa është pothuajse e pamundur të mos futesh në to. Tregimet për ata që kanë humbur një të dashur pa mundur të thonë lamtumirë, qarkullojnë në lajme çdo natë. Sidoqoftë, do të jetë më interesante të shihet se si artistët dhe autorët do të prezantojnë këto ditë në të ardhmen. A do të preferonim që këtë eksperiencë ta ruanim privatisht, apo do të krijojmë një vepër të madhe që përshkruan dhimbjen universale, frikën dhe vdekjen që do t’i sjellë pandemia? Në këto procese shoh edhe angazhimin tim personal…

* A ka ndonjë vepër nga historia e artit që pasqyron më së miri, për mendimin tuaj, periudhën në të cilën po jetojmë tani?
– Seria e pikturave udhëpërshkruese të David Hockney, të bëra gjatë izolimit, tregon shfaqjen e pranverës me mesazhin e saj të përjetshëm të shpresës. Në një intervistë të fundit, ai na kujtoi:
“Ne kemi nevojë për art që mund të zvogëlojë stresin … Por çfarë është stresi? Shpresa është për të ardhmen, ndërsa arti po ndodh tani! ”
Të gjithë ne në ato që krijojmë mund të kemi “metaforat” tona dhe imazhet tona për të kuptuar më mirë këtë kohë: art ose reportazh, ose dëshminë tonë, duke u kthyer kah vetja jonë. Akoma nuk kemi një pamje të plotë të asaj që shkoi keq. Disa fotografi të fuqishme të kësaj kohe na kanë treguar se si duket bota jonë pa ne në të: Ura e Brooklyn në New York, Sheshi Concord në Paris, Sheshi i Shën Pjetrit në Romë. Rrugët e Wuhan, një qytet me miliona banorë, janë të zbrazura.
Në historinë e artit janë mjaft të njohura veprat e krijuara pas gripit katastrofik spanjoll të vitit 1918, i cili për sa i përket numrit të viktimave dhe pasojave të kujton virusin e sotëm të koronës që është përhapur në të gjithë botën. Kurdoherë që njerëzimi përballet me një katastrofë të madhe, ajo kërkon një pamje që paraqet më bindshëm atë se çfarë është tragjedia në kujtesën e njerëzimit. Një pikturë e tillë është kanavaca “Krik” i piktorit të madh skandinav Edvard Munch, i cili u bë një ikonë universale e melankolisë dhe dëshpërimit. “Krik” sot përdoret për të simbolizuar krizat globale si Lufta e Parë Botërore, Lufta e Ftohtë, Brexit dhe pandemia aktuale e Covid-19…

Marketing